
Tiranë, 12 Korrik 2025 – Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar pas mesnate në autostradën Tiranë-Durrës, në zonën e Marikajt. Një automjet me tre të rinj ka dalë nga rruga, duke lënë të vdekur një 19-vjeçar dhe duke plagosur dy të tjerë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 00:40, kur shtetasi D.D., 18 vjeç, dyshohet se humbi kontrollin e automjetit që po drejtonte. Për pasojë, automjeti doli nga rruga, duke shkaktuar vdekjen e pasagjerit E.B., rreth 19 vjeç.
Drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri tjetër kanë mbetur të plagosur dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tyre shëndetësore nuk është bërë ende e ditur.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe përcaktimin e shkakut të humbjes së kontrollit nga ana e drejtuesit të mjetit.