
Bashkia e Tiranës vijon me intensitet aksionin për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga subjektet private dhe bizneset. Nënkryetari i Bashkisë, Blendi Sulaj, gjatë një inspektimi në zonën e “Don Boskos”, njësia administrative nr. 9, deklaroi se kjo reformë do të vijojë deri në rikthimin e çdo centimetri katror tek qytetarët.
“Ka biznese që kanë marrë masa individualisht për të hequr platformat që kanë zënë hapësirë publike, por ka ende shumë që nuk po kuptojnë se kjo është një reformë që nuk do të ndalet derisa të largohet platforma e fundit. Këto hapësira do t’u kthehen qytetarëve”, tha Sulaj.
Ai u ndal edhe në një rast konkret abuzimi, ku një sipërfaqe publike ishte shndërruar në parkim privat me tra, duke paralajmëruar ndërhyrje të menjëhershme.
“Është një nga qindra rastet abuzive në Tiranë, ku një zonë e madhe publike është përvetësuar nga pak persona. IMT dhe Policia Bashkiake do marrin masat brenda kësaj jave për heqjen e këtij tra dhe kthimin e hapësirës në funksion të komunitetit”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, drejtori i Kontrollit të Territorit në IMT, Klajdi Meçi, tha se zona e njësisë 9 ka përqendrimin më të lartë të zënieve të paligjshme të hapësirave publike.
“Është bërë identifikimi dhe janë lënë afate për çmontim vullnetar. Pasi shumica nuk kanë reaguar, do të nisë menjëherë zbatimi i masave administrative, që përfshijnë gjoba dhe prishje”, deklaroi Meçi.
Bashkia bën thirrje për bashkëpunim me qytetarët dhe bizneset, duke theksuar se hapësirat publike janë të përbashkëta dhe jo për përfitime të individëve të veçantë.