
Policia e Tiranës ka identifikuar personin që goditi me grusht personazhin e rrjeteve sociale Genard Hajdini dhe babain e tij, 4 ditë më parë në një lokal në “rrugën Bardhyl” në Tiranë.
Kështu, ka nisur hetimi në gjendje të lirë për 40-vjeçarin Sh.G. dhe për një vajzë 25-vjeçare me inciale A.P.
Policia sqaron se 40-vjeçari akuzohet për plagosje të lehtë me dashje.
Pas debatit verbal në lokal me Genard Hajdinin dhe babain e tij, 40-vjeçari i goditi të dy me grusht.
Ndërsa 25-vjeçarja akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Kjo për shkak se në momentin e sherrit, e reja ka qenë nën shoqërinë e 40-vjeçarit dhe gjatë marrjes në pyetje nga policia, ka dhënë dëshmi kontradiktore, me qëllim për të shpëtuar të dyshuarin nga ndjekja penale.
“U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Sh. G., 40 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, dhe për shtetasen A. P., 25 vjeçe, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Nga hetimet e kryera dyshohet se më datë 03.08.2025, në ambientet e një lokali në rrugën “Bardhyl”, shtetasi Sh. G. ka goditur me grushte shtetasit P. H. dhe G. H. (babë e bir), ndërsa shtetasja A. P., e cila shoqërohej me 40-vjeçarin, në momentin e ngjarjes, ka dhënë deklarime kontradiktore, me qëllim shmagien e përgjegjësisë penale për shtetasin Sh. G.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Hetimi nisi pas denoncimit që kishte bërë në polici Genard Hajdini.
Genard Hajdini dhe babai i tij u dhunuan në orën 01:00 të mëngjesit të datës 3 Gusht, në një lokal në rrugën “Bardhyl” në Tiranë.
Të dy morën trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës, dhe pas disa orësh u larguan.