ITALI- Autoritetet lokale në Itali kanë vendosur paralajmërime pasi vullkanet Etna dhe Stromboli janë bërë aktive. Udhëtarët që përdorin aeroportin më të madh të Sicilisë, Katania, po përballen me anulime si shkak i shpërthimit të vullkanit Etna. Bëhet e ditur se vullkani aktiv, më i larti në Evropë, ka pasur një rritje të konsiderueshme të aktivitetit gjatë javës së kaluar. Stromboli, në ishullin e afërt Aeolian, gjithashtu mund të shpërthejë menjëherë. Istituto Nazionale di Geofisica e Vulcanologia në Katania ka raportuar se hiri që buron nga mali Etna ka arritur në 4.35 kilometra në ajër. Si rezultat, pjesa më e madhe e hapësirës ajrore pranë vullkanit u detyrua të mbyllet.
Çfarë lloj ndërprerjeje i ka shkaktuar trafikut ajror shpërthimi i malit Etna?
Deri më tani, të paktën 90 fluturime dalëse dhe hyrëse janë anuluar në aeroportin e Katanias, duke ndërprerë fluturimet e rreth 15 mijë pasagjerëve. Vetëm Ryanair është detyruar të anulojë 42 fluturime. Easyjet është prekur gjithashtu.
A ka gjasa që Etna të vazhdojë të shpërthejë?
Departamenti i Mbrojtjes Civile i Italisë ka paralajmëruar se kjo nuk është një ngjarje e vetme.
“Italia, së bashku me Islandën, ka përqendrimin më të madh të vullkaneve aktive në Evropë dhe është një nga të parat në botë për numrin e banorëve të ekspozuar ndaj rrezikut vullkanik”, tha Departamenti i Mbrojtjes Civile në një deklaratë.
Departamenti këshilloi gjithashtu vendasit dhe turistët që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve të mbrojtjes civile të transmetuara nga radio, TV, në shtypin e përditshëm, në internet dhe nga numrat e ndryshëm pa pagesë që do të vendosen. Ata gjithashtu udhëzuan njerëzit, gjatë shpërthimeve, të mos hyjnë në zonat e ndaluara pasi është e rrezikshme t’i afrohesh zonës së kraterit edhe nëse nuk ka aktivitet shpërthyes pasi fenomenet e papritura shpërthyese ose emetimet e gazit janë gjithmonë të mundshme.
Kryetari i Bashkisë së Katanias, Enrico Trantino, lëshoi gjithashtu një urdhër që ndalon banorët vendas të përdorin format e transportit me dy rrota për 48 orë. Por, Etna nuk është i vetmi vullkan që shkakton probleme për Sicilinë. Departamenti i Mbrojtjes Civile ka lëshuar një alarm për një shpërthim të mundshëm edhe të vullkanit Stromboli aty pranë, duke rritur nivelin e kërcënimit të mundshëm nga mesatar në të rëndë.
Siç raportohet, Stromboli është nën mbikëqyrje dhe janë hartuar plane evakuimi në rast emergjence. Ndryshe, Stromboli shpërtheu për herë të fundit në vitin 2022, pa viktima. Megjithatë, një shpërthim i vitit 2019 rezultoi në vdekjen e një alpinisti 35-vjeçar nga Messina dhe detyroi rreth 30 turistë të hidheshin në det për siguri.