
JAPONI- Paniku mbretëroi në Yokohama të Japonisë, të hënën në mbrëmje, kur dy anije që përdoreshin për të hedhur fishekzjarrë në një festival veror u përfshinë nga flakët. Konkretisht, zjarri shpërtheu në dy nga tetë anijet gjatë shfaqjes së fishekzjarrëve dhe eventi u ndërpre menjëherë.
Sipas Autoritetit Portual të Yokohama-s, pesë punëtorë në njërën nga barkat u hodhën në det për t’i shpëtuar flakëve dhe u nxorrën nga uji pak kohë më vonë. Njëri prej tyre u dërgua në spital me lëndime të lehta.
Organizatorët e festivalit veror thanë se kishte një problem me fishekzjarrët në barka dhe policia dhe autoriteti portual po hetojnë shkakun e incidentit.
Festivali ishte planifikuar të hidhte rreth 20,000 fishekzjarrë gjatë 25 minutave. Megjithatë, vetëm 20 minuta pas fillimit të shfaqjes, muzika u ndal dhe pjesëmarrësit u informuan se eventi ishte anuluar për arsye sigurie.