Kombëtarja e Shqipërisë në futboll ka nisur grumbullimin për “Euro 2024”, e zhvendosur tashmë me përgatitje në Austri, gati për të zhvilluar dy miqësoret e fundit para finaleve të kompeticionit gjerman. Të hënën e kësaj jave, trajneri Syvlinho publikoi listën me 27 lojtarë kuqezinj, nga të cilët me gjasë do të skarcohet njëri, duke federuar 26 në UEFA për finalet e Europianit.
Në “Euro 2024”, kuqezinjtë e nisin kundër Italisë në “Signal Iduna Park” të Dortmundit më 15 qershor, ndërsa pjesë e grupit B janë edhe Kroacia e Spanja. Por cilët janë lojtarët që vlejnë më shumë në treg, të përzgjedhur nga Sylvinho për të përfaqësuar Shqipërinë në Gjermani?
Sipas faqes së specilizuar, “Transfermarkt”, vetëm katër lojrarë kanë vlerë 10 milionë euro e sipër te Shqipëria në tregun e futbollit aktual. Me shifrën e 10 milionë eurove vlerësohet qendërmbrojtësi i Atalanta, Berat Djimsiti, që do të jetë kapit en i kuqezinjve në “Euro 2024”.
Një rritje të ndjeshme të vlerës në vitin e fundit e ka pasur edhe ylli i ri i Besiktas, Ernest Muçi, i cili tashmë vlerësohet me 13 milionë euro. I dyti në listë me vlerën më të lartë është kampioni i Italisë me Interin, mesfushori Kristjan Asllani, që kuotohet 16 milionë euro. Lojtari më i shtrenjtë në listë është padyshim Armando Broja, që aktualisht vlerësohet 22 milionë euro.
Sulmuesi nën kontratë me Chelsea pritet të jetë lojtari kryesor i Shqipërisë në këtë Europian, pasi Sylvinho beson shumë tek ai, edhe pse vjen nga një sezon jo i mirë, teksa huazimi i tij te Fulham nuk shkoi sipas parashikimeve.
Lojtarë që kanë vlerë të lartë në treg janë edhe Marash Kumbulla me 7.5 milionë euro, Nedim Bajrami me 6 milionë euro dhe Rey Manaj me 5 milionë euro.