
Policia Kufitare në Rinas ka finalizuar një tjetër goditje ndaj trafikimit të paligjshëm të armëve. Gjatë kontrolleve të shtuara për shkak të fluksit të udhëtarëve, u arrestua në flagrancë shtetasi A.Q., me origjinë shqiptare dhe nënshtetësi kanadeze, teksa tentonte të kalonte në Gjermani me një armë zjarri të fshehur në bagazh.
Operacioni i koduar “Tranzit”, i zhvilluar nga shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me strukturat e sigurisë së aeroportit, u bazua në analiza të riskut dhe të dhëna të inteligjencës policore.
Gjatë kontrollit me skaner në dalje të Shqipërisë, u zbulua një pistoletë me municion luftarak në valixhen e A.Q., i cili u arrestua menjëherë.
Arma dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, nën akuzën për “Trafikim armësh dhe municionesh”. /noa.al