
Deputeti Dashnor Sula ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te përplasjet e brendshme në Partinë Socialiste dhe arrestimi i ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Sula deklaron se kryeministri Edi Rama ka përdorur një strategji të qëllimshme për të vënë përballë njëri-tjetrit rivalët e tij politikë brenda PS-së, ashtu siç kishte bërë më parë me Saimir Tahirin dhe Arben Ahmetajn.
“Sali Berisha ia dhuroi partinë Lulzim Bashës, ndërsa Edi Rama, për të kënaqur edhe veten, i çoi të gjithë në garë brenda PS-së dhe ndodhi fenomeni. Shikonin njëri-tjetrin si rivalë. E hëngri i pari Saimir Tahiri, pastaj Arben Ahmetaj.
Rasti i Veliajt është një lojë e Edi Ramës.
Për Veliajn u bashkuan kundër gjithë të tjerët dhe kolegë të tij brenda PS-së kanë fërkuar duart pas arrestimit të tij. Lufta brenda llojit ekziston në PS”, tha Sula.