Arrestohet Arrestohet i “Trump Burger”

Jil
Jil
3 Min Read

Pronari i zinxhirit të restoranteve “Trump Burger” në Teksas, Roland Mehrez Beainy, 28 vjeç nga Libani, po përballet me deportim pas arrestimit nga Shërbimi i Imigracionit dhe Doganave (ICE), që vepron nën administratën e presidentit Donald Trump.

Sipas ICE, Beainy hyri në SHBA në vitin 2019 si vizitor dhe duhej të largohej deri më 12 shkurt 2024, por qëndroi përtej afatit. Ai kërkoi status ligjor pas një martese të supozuar, por Departamenti i Sigurisë Kombëtare thotë se nuk ka prova që ai ka bashkëjetuar me bashkëshorten. Beainy u arrestua më 16 maj dhe është në pritje të një seance gjyqësore për deportim më 18 nëntor.

Në një intervistë për “Houston Chronicle”, Beainy mohoi akuzat, duke thënë se “90% e asaj që thonë nuk është e vërtetë”. Restoranti i tij i parë “Trump Burger” u hap në vitin 2020 në Bellville, Teksas, duke tërhequr vëmendje për dekorin e mbushur me memorabilia kushtuar Trump dhe menunë satirike ndaj kundërshtarëve të tij. Më vonë, zinxhiri u zgjerua në Houston, ndërsa një pjesë e fitimeve është përdorur për mbledhje fondesh për ish-presidentin.

Administrata e re e Trump, e cila nisi mandatin e dytë në janar, ka filluar zbatimin e premtimeve për deportime masive të emigrantëve pa dokumente. Në disa raste, as mbështetësit politikë të Trump nuk janë përjashtuar.

Mes tyre, një shtetase kanadeze që mbështeste planet e tij për deportim u ndalua nga autoritetet amerikane, si dhe një grua me origjinë armene dhe iraniane, e cila humbi lejen e qëndrimit pas një dënimi të vjetër dhe u mbajt në paraburgim federal.

Përveç çështjes së imigracionit, Beainy është i përfshirë edhe në një konflikt ligjor me qiradhënësin e një prej restoranteve, i cili e akuzon për borxhe të pashlyera dhe e ka rihapur lokalin me emrin “MAGA Burger”.

Në vitin 2022, Beainy tregoi se kishte marrë kërcënime për djegien e restorantit kur hapi dyert për herë të parë, por me kalimin e kohës marka fitoi klientë besnikë. “Do të doja të kisha bekimin e Trump dhe që ai të vinte të na vizitonte. Shpresojmë që ta shohë këtë vend,” kishte thënë ai në atë kohë./klan

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania