
Kurbin, 11 korrik 2025 – Orgest Mehi, i njohur edhe si Orgest Shehaj, 25 vjeç, është arrestuar nga Policia në Fushë-Kuqe të Kurbinit, pas një operacioni të koduar “Fokusi”. I riu konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ishte shpallur në kërkim për disa vepra penale të rënda.
Ngjarja që çoi në shpalljen e tij në kërkim ka ndodhur më 18 dhjetor 2023, kur ai nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar automjetin dhe u largua me shpejtësi, duke rrezikuar jetën e efektivëve. Brenda automjetit, të cilin më pas e braktisi në fshatin Gurëz, Policia gjeti një armë zjarri të tipit snajper me precizion të lartë, me fishek në fole, si dhe një çantë me municion luftarak. Dyshohet se arma ishte siguruar për të kryer një vrasje.
Gjykata e Lezhës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale: – “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim – “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” – “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”
Operacioni për kapjen e tij u finalizua nga Komisariati i Policisë Kurbin në bashkëpunim me strukturat operacionale, pas informacioneve të marra në rrugë operative. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme ligjore.