
TIRANË- Një 46-vjeçar i shpallur në kërkim pasi GJKKO i kishte caktuar masë sigurie është arrestuar në Malin e Tomorrit. Në pranga është vënë shtetasi Dorian Beu, i cili ishte i kërkuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, të kryera në formën e organizatës kriminale.
Dy vite më parë, Gjykata e Posaçme i ka caktuar 46-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave kriminale nga grupi i strukturuar kriminal”.
NJOFTIMI I POLICISË:
Policia e Shtetit
Operacione të njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, për kapjen e shtetasve në kërkim.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 60”.
Lokalizohet në Malin e Tomorrit, kapet dhe vihet në pranga një i kërkuar, me masë sigurie “Arrest në burg”, caktuar nga GJKKO-ja.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 60”.
Bazuar në informacionet e siguruara se në Malin e Tomorrit po qarkullonte me automjet, një shtetas i kërkuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, të kryera në formën e organizatës kriminale, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasin D. B., 46 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave kriminale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës u bë ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”, dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për hetime të mëtejshme.
Dorian Beu ishte pjesë e grupit kriminal të trafikut të drogës Itali-Shqipëri që u shkatërrua nga megaoperacioni i autoriteteve italiane në bashkëpunim me ato shqiptare.
Grupi drejtohej nga 3 shqiptarë nga Durrësi, Braniol Liço alias Branjol Liço alias Braniol Aga, Gernard Beu alias Gernard Liço alias Gernard Ago dhe Emirjan Beu.
Ata drejtonin dhe organizonin trafikun ndërkombëtar të drogës. Nga hetimi i nisur që në vitin 2017 mes autoriteteve italiane dhe shqiptare për çmontimin e bandës italo-shqiptare, u sekuestruan 5 milionë euro dhe sasi të mëdha droge, megaoperacioni i zhvilluar në koordinim me EUROJUST solli 43 urdhër-arreste në të dyja vendet.