
Prej pasdites së së shtunës së kaluar, 29-vjeçari Ardit Beshiri rezulton ende i zhdukur, pasi u rrëmbye nga një masiv uji, kromi dhe inertesh që shpërtheu pas çarjes së një rezervuari në fabrikën e përpunimit të kromit në zonën e Qaf-Burrelit.
Arditi ishte duke punuar me fadromë në stokun e fabrikës, e cila menaxhohej muajt e fundit nga një kompani kineze. Në rrethana ende të paqarta, rezervuari që shërbente për filtrimin e ujërave të ndotura u çarë, duke krijuar një rrjedhje të fuqishme që e mori me vete të riun bashkë me mjetin me të cilin po punonte.
Prej ditësh, forcat e kërkim-shpëtimit, forcat e armatosura, familjarë dhe banorë të zonës po kërkojnë përgjatë përroit që përfundon pranë lumit Mat, pa ndonjë rezultat konkret. Në ndihmë janë angazhuar edhe forcat e ushtrisë së Kosovës, ndërsa në vendngjarje është parë edhe kreu i emergjencave civile, Haki Çako.
Gjatë pasdites së djeshme është gjetur një pjesë e fadromës së 29-vjeçarit, çka ka çuar në vendosjen e një perimetri sigurie për të përqendruar kërkimet në atë zonë. Operacioni vijon, ndërsa familjarët dhe autoritetet shpresojnë për një përparim të shpejtë në gjetjen e Arditit.