JiL.al - Jeto i Lumtur

Atentat me eksploziv, tritoli shpërthen sapo 47-vjeçari ndez mjetin

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Një 47-vjeçar në Mirditë ka mbetur i plagosur pasi në makinë e tij i kishin vendosur lëndë shpërthyese. Sapo ka ndezur makinën, lënda ka shpërthyer në pjesën e pasme të mjetit, duke e lënë të plagosur drejtuesin Lodovik Syziu, 47 vjeç.

Makina ka qenë e parkuar në oborrin e banesës, ndërsa menjëherë pasi u plagos 47-vjeçari është dërguar për të marrë ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autorët dhe motivet e ngjarjes ende nuk dihen. 47-vjeçari, megjithëse nuk ka asnjë precedent të mëparshëm kriminal, njihet si person problematik në fshatin Malaj të Mirditës. Syziu ka një vëlla të zhdukur që prej vitit 1997, i cili është i dyshuar si autor i disa ngjarjeve në vitin 1997.

Policia po heton edhe nëse Syziu ka patur ndonjë konflikt të kohëve të fundit me ndonjë banor të zonës. Në dëshminë e parë të dhënë pasi ka marrë ndihmën mjekësore, Syziu ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni për autoret apo shkaqet, por ndërkohë janë thirrur për t’u marrë në pyetje edhe familjarë të tij me qëllimin për të mësuar për ndonjë incident që mund të ketë patur i plagosuri.

‘Rreth orës 08:05, Salla operative e Komisariatit të Policisë Mirditë është njoftuar se në fshatin Malaj, në oborrin e banesës së shtetasit Ledovik Syziu në momentin që ky shtetas ka ndezur automjetin, në pjesën e pasme të automjetit ka ndodhur një shpërthim.

Për pasojë shtetasiLedovik Syziu është dëmtuar dhe po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Mirditës jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.

Nga veprimet e para dyshohet se ka shpërthyer lëndë artizanale.

Nën drejtimin e Prokurorisë Grupi hetimor po vijon intensivisht punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe për sigurimin e provave me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit’, informon policia.

Scroll to Top