JiL.al - Jeto i Lumtur

Basha i kthehet Metës: Mos harro atë bllokun me 700…

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, i është përgjigjur Ilir Metës për deklaratat e tij për 21 janarin.

Në një reagim në rrjetet sociale, Basha shprehet se drejtësia ka shumë për të zbardhur 21 janarin dhe ky hetim nis që nga Ilir Meta që është njeriu me bllok, tek Edi Rama që është organizatori i saj.

Në videon e shpërndarë në facebook kur Meta dhe Berisha përplaseshin në Parlament për 21 janarin me akuzat më monstruoze, kreu i Demokratëve Euroatlantikë shkruan se sot i njëjti person mbron Berishën.

Reagimi i Lulzim Bashës:

“Drejtësia ka shumë për të zbardhur për 21 janarin. Nga Ilir Meta, njeriu me bllok, te Edi Rama, organizatori i protestës me sebepin e bllokut, i cili më pas çuditërisht e bëri Ilir Metën pjesë të pushtetit dhe ata që i akuzonte si pjesë e grupit të zjarrit i emëroi kryetar të PS dhe të Bashkisë. E më pas e gjithë e vërteta deri në fund.

Mashtrimet ordinere dhe zig-zaget e përditshme nuk mund t’i fshehin faktet të cilat janë para syve të çdo shqiptari. I njëjti person që sot bën sikur mbron Sali Berishën, ka bërë akuza nga më monstruozet ndaj tij edhe në këtë rast.

Ilir Meta është simbol i pandëshkueshmërisë dhe i pazareve në kurriz të shqiptarëve dhe demokratëve. Pazaret, deliret dhe ankthet e tij kanë dëmtuar rëndë opozitën, ndërsa distancimi nga ai dhe të ngjashmit e tij janë kusht i pashmangshëm për fitoren e saj.”

Scroll to Top