Deputeti Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, doli sot në një intervistë televizive që monitoroi noa.al, ku foli mbi zhvillimet politike. Basha ka intensifikuar së fundi daljet e tij mediatike pas një periudhe afro trevjeçare që ai qëndroi i distancuar që kur dha dorëheqjen më 2021.
Në top channel, Basha tha se nëse Sali Berisha do të kishte ndjekur këshillën e tij kur u shpall “non-grata” nga SHBA-të, PD do të ishte tashmë shumë pranë pushtetit.
“Edhe sot e kësaj dite, ndjej keqardhje të thjeshtë sepse nuk jam nga ata që harron historinë. Po të kishte ndjekur këshillën time, sot PD do ishte shumë më mirë, në mos në pushtet, shumë afër pushtetit”, tha ai.
Më tej Basha tha se në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, Berisha u ndihmua nga Rama për të korrur një fitore të përkohshme në Shkodër.
“Procesi zgjedhor i 6 marsit, me ndihmë të nëndheshme të Edi Ramës, Berisha arriti që në Shkodër të korrte një fitore jetëshkurtër”, tha Basha.
Ai foli dhe për largimin nga drejtimi i PD: “Dorëheqja ime erdhi me idenë që të kishte një tërheqje. Gjërat shkuan shumë më keq, një grup i mbetur në PD u përpoq të gjente rrugën më të shkurtër duke iu nënshtruar Berishës për ta çuar partinë atje”- u shpreh Basha.
Sipas tij ka një lojë të nëndheshme mes një grupi njerëzish që sakrifikojnë Komisionet dhe tha se vetë ai nuk ka zgjedhur kurrë që të bëhet pjesë e kësaj loje.
“Unë personalisht nuk kam bërë përpjekj e për të qenë në këtë lojë. Unë kam refuzuar me vetëdije të jem pjesë e kësaj loje. Ka një lojë të nëndheshme e cila në këto 34 vite ka marr formën e ‘mishin ta hanë, por kockën ta ruajnë’, të një kaste politike e cila është prodhim në Shqipëri dhe disa vendeve të tjera.
Është një grusht njerëzish të cilët edhe kur vjen puna për Reforma të nevojshme për njerëzit, i sakrifikojnë. Komisioni i Reformës Zgjedhore është një institucion, por sot ka rënë dhe është zëvendësuar me një qyp.
I pyetur se përse PD nuk ka kërkuar më parë listat e hapura, ai tha se këtë e kanë bërë, porse PS “bëri sikur i hapi”, por sipas tij u vendos herësi dhe u hoqën koalicionet.
“Ishte kërkesa jonë që u keqpërdor nga Rama kur bëri sikur hapi listat, por në fakt hoqi koalicionet. Fakti ky është, dhe Berisha dhe të tjerët kanë qenë në krahun tim. Pastaj çfarë thuhet pasi ka rrjedhur koha dhe ngjarje të tjera, kjo duhet gjykuar. Ne kemi kërkuar hapje listash që në 2020, dhe PS bëri sikur dhe vendosi herësin dhe hoqi koalicionet. U hapën pjesërisht dhe i kushtuan qytetarëve 85 mijë vota të pavlefshme”, tha Basha.