JiL.al - Jeto i Lumtur

BE heq vizat për serbët e Kosovës me pasaporta të Serbisë

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Vendimi i BE-së nxit reagimin e qeverisë së Kosovës: “Cilido vendim i BE nuk e zhbën faktin që pasaportat e Serbisë të lëshuara për qytetarët e Kosovës mbeten jolegale dhe të papranueshme për Republikën e Kosovës.”

Këshilli i ministrave i Bashkimit Evropian i përfshiu në liberalizimin e vizave për në zonën Shengen edhe serbët me vendbanim në Kosovë, por që mbajnë pasaporta të lëshuara nga Serbia. Ky vendim i BE-së, nxiti reagimin e qeverisë së Kosovës, e cila tha se pasaportat e serbëve të Kosovës të lëshuara nga autoritet e Serbisë, për Kosovën vazhdojnë të jenë të pavlefshme dhe si të tilla janë ilegale.

Në një njoftim të këshillit të BE-së thuhet, se rregullorja e cila u miratua me (22.07) “siguron që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor t’i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash”, duke hequr kështu përjashtimin e deritashëm për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese serbe, e cila i pajis serbët e Kosovës me dokumenta nga Serbia.

“Me miratimin e sotëm përfundon procesi legjislativ dhe se me hyrjen në fuqi të rregullores njëzet ditë pas botimit të vendimit në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian ajo do të bëhet e zbatueshme në të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”.

Vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian nxiti reagimin e qeverisë së Kosovës, e cila tha se “cilido vendim i Bashkimit Evropian, nuk e zhbën faktin që ato pasaporta vijojnë të mbeten jolegale, në shkelje të plotë të tërësisë tokësore dhe sovranitetit të shtetit e rrjedhimisht të papranueshme për Republikën e Kosovës.

“Ato pasaporta do të vazhdojnë të mos njihen nga autoritetet tona. Secili qytetar i vendit, nga secili komunitet, ka të drejtën e plotë që të përfitojë nga lëvizja e lirë pa viza, përmes pasaportës së Kosovës. Ndaj, justifikimi i përdorur se bartësit e këtyre pasaportave ilegale do të mbeten të izoluar, është i pasaktë dhe në shpërputhje me realitetin”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Sipas ekzekutivit kosovar, “është e pashpjegueshme ngutja për marrjen e këtij vendimi, pa vërtetuar faktet në terren, pa analizuar pasojat qё munden dhe do tё përcjellin zbatimin e vendimit dhe pa konsultuar që nga fillimi institucionet e shtetit të Kosovës”, thuhet në reagim, duke shtuar se “ky vendim, sipas qeverisë dëmton përpjekjet e vazhdueshme për integrimin e komunitetit serb në Kosovë”.

Autoritetet e Serbisëe mirëpriten vendimin e Bashkimit Evropian duke e cilësuar “një fitore të vogël por e rëndësishme për të drejtat e njeriut të serbëve në Kosovë”, shkroi ministri i jashtëm serb Marko Gjuriç./ DW

Scroll to Top