
Berisha në Bruksel: Zgjedhjet e 11 majit ishin farsë, kërkoj mbështetje për votim të lirë në Shqipëri
Në një fjalim të mbajtur gjatë samitit të Unionit Demokratik Ndërkombëtar (IDU) në Bruksel, lideri i opozitës Sali Berisha i cilësoi zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri si një “farsë të paralajmëruar dhe masive”, të zhvilluara në kushte të jashtëzakonshme politike dhe shoqërore.
Berisha akuzoi Kryeministrin se ka shndërruar Shqipërinë në një “narkoshtet”, duke përdorur drejtësinë, administratën, mediat dhe burimet publike për të siguruar mandatin e katërt. Ai theksoi se tre drejtues të partive të opozitës janë arrestuar apo ndodhen nën ndjekje penale, ndërsa dhjetëra zyrtarë të opozitës janë shkarkuar apo burgosur.
Sipas tij, organizata kriminale janë përdorur hapur për të garantuar votat e nevojshme, ndërsa “njerëzit më të votuar janë anonimë të përzgjedhur nga bandat”. Ai përmendi dhënien e 100 eurove pensionistëve në mes të fushatës, një amnisti të gjobave për 200 milionë euro, punësime masive në administratë dhe licenca për kultivim të kanabisit si pjesë të një “makinerie elektorale të plotë të shtetit”.
Berisha akuzoi gjithashtu për kontroll total mbi mediat kombëtare, bllokimin e rrjeteve sociale si TikTok dhe përdorimin e aktiviteteve publike, përfshirë eventin Giro d’Italia, për qëllime propagandistike në ditën e zgjedhjeve.
Ai falënderoi institucionet ndërkombëtare si OSBE, Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës për qëndrimet kritike ndaj procesit dhe kërkoi mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë për të garantuar një proces zgjedhor të lirë në të ardhmen.
“Po nuk u kthye e drejta e votës për shqiptarët, ky vend po zbrazet. Vetëm në 10 vitet e fundit janë larguar mbi një milion shqiptarë drejt BE-së,” deklaroi Berisha, duke e përmbyllur fjalën me një apel për solidaritet ndërkombëtar dhe përkrahje nga IDU, PPE, CDI dhe qeveritë në pushtet. /noa.al