Berisha: Pagat e punonjësve të policisë do të rriten me 20%!

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

TIRANË – Kryedemokrati, Sali Berisha gjatë takimit “Siguria dhe Rendi” deklaroi se ndryshimi i trajtimit të efektivëve dhe punonjësve të policisë do të jetë një objektiv madhor i qeverisë së PD-së.

Berisha u shpreh se pagat e punonjësve të policisë do të rriten me 20%, dhe standarti i dietave të udhëtimit do të ndryshojë nga 55 në 80 euro. Ai shtoi gjithashtu se kompensimi ushqimor do të rritet në masën 35%, 450 në 600 lek në ditë, si dhe pagesat përkatëse do të kryhen brenda 10 ditëve të muajit pasardhës, duke përfshirë të gjithë punonjësit e policisë, me apo pa grada.

Deklarata e Berishës:

Ndryshimi i trajtimit të efektivëve dhe punonjësve të policisë do të jetë një objektiv madhor i qeverisë së PD-së. Edi Rama ka vendosur standarde të vjetra, të sistemeve totalitare në rrogat në piramidën shtetërore.

Në vendet e lira, hendeku mes rrogave të mëdha, të mesme, të ulëta është shumë mirë i përpjesëtuar. Dhe nuk denigrohen njerëzit nëpërmjet përcaktimit të rrogave të tyre, inferiore në shkallë të atillë sa përbëjnë një diskriminim të pafalshëm.

Në këtë kontekst ju garantoj se diferenca e rroga mes drejtuesve dhe inspektorëve do të ngushtohet qartësisht sikundër pagat vitin e parë do të rriten me 20%.

Pagat e punonjësve të policisë do të rriten me 20%. Dietat e udhëtimit. Standardi i tyre do të ndryshojë nga 55 në 80 euro, sepse të tilla janë çmimet sot. Pa le që në shumë raste as nuk ua japin. Në dhjetëra raste punonjës të Policisë dhe Shërbimit Informativ më kanë informuar se nuk u japin pagesën e misioneve, detyrave që kanë përmbushur jashtë rrethit. Për këta i vjedhin, se janë të përcaktuara në buxhet, se nuk kanë as turp, as cipë, asgjë.

Kompensimi ushqimor do të rritet në masën 35%. Apo nga 450 në 600 lek në ditë. Pagesat përkatëse do të kryhen brenda 10 ditëve të muajit pasardhës, duke përfshirë të gjithë punonjësit e policisë, me apo pa grada.

Shtesë në paga, për specialistët e IT dhe profesione të tjera të veçanta. Shtesë në masën 30% në pagat e këtyre punonjësve. Indeksim vjetor për punonjësit jashtë vendbanimit të tyre.

Njohja e vjetërsisë për punonjësit e larguar pas vitit 2013, do të njihet 50% e periudhës së këtyre viteve, si vjetërsi shërbimi për gradën. Pra ne jemi të vetëdijshëm se detyrat që ka Policia e Shtetit për të zgjidhur, janë të vështira, janë të rënda, dhe ajo meriton një trajtim krejtësisht tjetër nga ky i sotmi. Por ne jemi të vendosur ta mbështesim fuqimisht atë në mënyrë që shtetit shqiptar të mos jetë kurrë me një sipërmarrje e përbashkët me krimit siç është sot, por të jetë shtet i ligjit, i sigurisë së jetës, veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë, me besimin më të madh se ju, se policia do ta përmbushë këtë mision me sukses të plotë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Scroll to Top