BKT përgënjeshtron lajmin dashakeqës: Njollosje e qëllimshme

Jil
Jil
6 Min Read

Tiranë – Banka Kombëtare Tregtare (BKT) ka reaguar sot në mënyrë zyrtare pas publikimit të një lajmi të pavërtetë nga një portal lajmesh, që më pas u shpërnda nga disa media të tjera dhe llogari në rrjetet sociale, raporton noa.al duke cituar një deklaratë publike të bankës.

BKT njoftoi se artikulli përmbante pretendime të rreme, spekulime të pabazuara dhe tentativë për të përfshirë padrejtësisht institucionin në hetime që nuk ekzistojnë.

“Ky artikull është plotësisht i pavërtetë dhe me qëllime keqinformuese,” thuhet në deklaratën e BKT-së, që e cilëson shkrimin si pjesë të një fushate të qëllimshme për të dëmtuar reputacionin e bankës. Artikulli përmendte emra të njohur për publikun, të cilët ndodhen nën hetim nga autoritetet ligjzbatuese, duke i lidhur në mënyrë të pavërtetë me BKT-në.

BKT nënvizon se nuk ka asnjë hetim apo proces ligjor ndaj bankës dhe se ajo nuk është kontaktuar nga asnjë autoritet në lidhje me akuzat e përmendura në publikimet mediatike. Sipas deklaratës, ngjarje të tilla nuk janë të reja, por janë ndjekur gjithmonë me masa ligjore për të mbrojtur interesat e bankës dhe drejtuesve të saj.

“Ne jemi të sigurtë në integritetin tonë, në mënyrën e funksionimit dhe në përputhshmëri me të gjitha ligjet dhe rregulloret në fuqi,” thekson BKT, duke shtuar se është e hapur ndaj çdo hetimi nga institucionet përkatëse.

Për shkak të kufizimeve të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, banka thotë se nuk mund të japë përgjigje të detajuar për çdo element të përmendur në publikimet në fjalë, por rithekson gatishmërinë për bashkëpunim të plotë me çdo autoritet ligjor nëse do të kërkohet.

“Besojmë te sistemi i drejtësisë që do të mbrojë të drejtën e institucioneve nga këto sulme dashakeqëse dhe lajme të pavërteta që rrezikojnë stabilitetin financiar të vendit,” thuhet më tej në reagimin e bankës. Sipas BKT-së, veprime të tilla janë të dënueshme me ligj në shumë vende të tjera.

Në përfundim, Banka Kombëtare Tregtare riafirmon përkushtimin për të ruajtur standardet më të larta të integritetit, transparencës dhe shërbimit ndaj klientëve.

“Falënderojmë klientët tanë, partnerët dhe publikun e gjerë për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme,” përfundon deklarata zyrtare.

Deklarata e plotë e BKT: 

“Së fundmi, një portal lajmesh publikoi një artikull të pasaktë dhe tendencioz, i cili u shpërnda më vonë nga disa portale të tjera dhe llogari në rrjetet sociale. Ky artikull përmendte emra të njohur për publikun e gjerë, të cilët janë nën hetim nga autoritetet ligjzbatuese, duke i lidhur ato me disa pretendime të pavërteta dhe spekulime mbi hetime që nuk ekzistojnë, për Bankën Kombëtare Tregtare, duke u përpjekur për të ndërtuar një narrativë të sajuar me qëllimin e vetëm për të implikuar padrejtësisht BKT-në.

Ne deklarojmë në mënyrë të prerë se ky artikull është plotësisht i pavërtetë dhe me qëllime keqinformuese, dhe duket se është pjesë e një fushate të qëllimshme për të dëmtuar reputacionin e BKT-së — një prej institucioneve financiare më të besueshme në Shqipëri, që operon nën mbikëqyrjen e autoriteteve rregullatore përkatëse dhe e vlerësuar vazhdimisht si një ndër bankat më të mira në Shqipëri.

Nuk ka asnjë hetim apo proces ligjor kundër BKT-së dhe banka nuk është kontaktuar nga asnjë autoritet lidhur me akuzat e përmendura në këto portale. Publikime të tilla të kësaj natyre kanë ndodhur herë pas here, dhe ne kemi ndërmarrë veprimet ligjore për të mbrojtur interesat e bankës, të drejtuesve të saj dhe të aksionarëve kundrejt dëmtimit të reputacionit të shkaktuar nga këto lajme të sajuara.

Ne jemi plotësisht të sigurtë në integritetin tonë, në mënyrën e funksionimit dhe në përputhshmëri me të gjitha ligjet dhe rregulloret në fuqi, dhe jemi të hapur ndaj çdo hetimi nga institucionet përkatëse ligjzbatuese dhe mbikëqyrëse.

Reagimi në detaje ndaj publikimeve të tilla për shkak të ligjit të mbrojtjes së të dhënave personale e kufizon bankën për t’u përgjigjur për çdo element të përmendur në këto publikime. Megjithatë, ne ritheksojmë gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar plotësisht me çdo hetim apo autoritet ligjor, nëse kjo do të kërkohet.

Ne besojmë te sistemi i drejtësisë, që do të mbrojë të drejtën e institucioneve dhe drejtuesve të tyre nga këto sulme dashakeqëse dhe lajme të pavërteta të cilat synojnë prishjen e imazhit dhe minimin e besimit ndaj institucioneve bankare përmes keqinformimit duke përbërë rrezik për stabilitetin financiar të vendit. Veprime të tilla janë të dënueshme me ligj në shumë vende të tjera.

Banka Kombëtare Tregtare mbetet e përkushtuar për të ruajtur standardet më të larta të integritetit, transparencës dhe shërbimit ndaj klientëve.

Falënderojmë klientët tanë, partnerët dhe publikun e gjerë për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.

Banka Kombëtare Tregtare”.

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania