Bujë e madhe për kalimin e Xhakës te Sanderlendi në Angli, por mediat ngrenë dyshime

Jil
Jil
4 Min Read

Adriatik BALLA

Granit Xhaka i është bashkuar Sanderlendit. Dhe e ka vlerësuar këtë sfidën më të madhe në karrierë. Një lider i lindur, lojtar me personalitet dhe prani udhëheqëse brenda dhe jashtë fushës, Xhaka është përballur me të gjitha llojet e presionit gjatë karrierës së tij. Mesfushori e di se çka duhet për të fituar trofe. Tani do të luajë për Sanderlendin që synim e ka stabilimin në Premier League, ku mungoi për tetë vjet. “Është një lloj ndryshe i presionit”, ka thënë Xhaka për sajtin zyrtar të Sanderlendit. “Për mua, për klubin dhe bashkëlojtarët. Kam ndjenjë të mirë, po shoh se ku mund të bëjmë një ndryshim të madh dhe duam të jem pjesë e kësaj. Dua të shkruaj historinë tonë”, nënvizoi ai. 32-vjeçari e njeh shumë mirë Premier League. I ka 225 paraqitje me Arsenalin në këtë ligë. Ka edhe shumë paraqitje në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Evropës. Te Sanderlendi presin që ai të japë çdo gjë për suksesin e skuadrës. Këtë në fakt e ka bërë gjatë gjithë karrierës. “Isha në Mbretëri të Bashkuar për shtat vjet dhe e njoh mentalitetin. E njoh ligën dhe ajo që mund të prisni nga unë është përvoja e shumëllojshme nga futbolli evropian. Në një ekip nevojitet një ekuilibër i mirë me lojtarë të rinj dhe lojtarë me përvojë. Ende nuk kam mbaruar, jam i uritur për të arritur shumë gjëra. Po ashtu kam një mentalitet të fortë, e di si të punoj ditë pas dite për të arritur qëllimet që kemi në klub. Gjithashtu të ndihmojmë njëri-tjetrin duke dhënë ndjesi të mirë me besim. Ky jam unë”, tha Xhaka.

Sfidat që e presin

Xhaka e di se synimet e Sanderlandit nuk janë të njëjta me ato që kishte tek Arsenali dhe Bajer Leverkuseni. Por e pranon sfidën dhe është gati t’i bëjë tifozët krenarë. Premier League nuk është e lehtë për një skuadër që mungoi tetë vjet në të. “Kjo mund të jetë sfida më e madhe e karrierës sime deri më tani. Por e pranova dhe dua të tregoj këtë ditë për ditë dhe në fushë po ashtu. Jam i sigurt se kjo skuadër do të japë gjithçka në fushë. Nga fishkëllima e parë e deri në fund. Çfarëdo që të ndodhë, ne kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve. Por do të japim çdo gjë dhe shpresojmë se mund t’i arrijmë qëllimet tona”, nënvizoi Xhaka.

Trajneri i Sanderlandit, Regis Le Bris, pret shumë nga Xhaka

“Ky transferim dëshmon se sa atraktiv është klubi ynë. Nëse një lojtar i këtij dimensioni i thotë po projektit tonë, kjo do të thotë diçka. Dua të uroj njerëzit prapa skenës për kompletim të lëvizjes. Është lëvizje e zhurmshme dhe ne duam të bëjmë zhurmë këtë edicion. Për skuadrën është shumë me rëndësi. Kemi filluar me rekrutimin e lojtarëve të rinj e të talentuar, por synimi i dytë është të balancojmë skuadrën me më shumë përvojë. Me atë që ka arritur në futboll, Graniti është shumë i mirë për këtë. Ai sjell shumë gjëra për balancimin e ekipit. Ai është kapiten, lider, ka përvojë të rëndësishme në Premier League dhe në përfaqësuese. Prania e tij do të jetë shumë e rëndësishme për balancim të ekipit. Jemi shumë të lumtur. Ai është ende në majë me stilin specifik të lojtarëve. Është vërtet e rëndësishme të ndiejmë këtë në strukturën tonë, u jep besim të gjithëve për sukses në Premier League”, tha trajneri.

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania