Çelet ekspozita “Trigonometria shpirtërore e Danjollit”

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Ekspozita “Trigonometria shpirtërore e Danjollit” solli punët e autorit Hajdar Danjolli. Qendra e Studimit të Arteve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë çeli dje në ambientet e jashtme këtë ekspozitë kuruar nga Artan Shabani. Ekspozita vetjake e dr. Hajdar Danjollit vjen për herë të parë në Akademinë e Shkencave. Kjo ekspozitë shfaq rreth 20 punime, të cilat u referohen tekstileve dhe në mënyrë metaforike tiparit piktorik të artistit. Ekspozitën e çeli drejtori i Qendrës së Artit Stefan Çapaliku, i cili i vlerësoi veprat e dr. Danjollit për ndjeshmërinë e hollë dhe tërësinë e motiveve e teknikave që ka përdorur.

ASH shprehet se ai theksoi se Danjolli është një artist që iu përket dy periudhave asaj të artit të angazhuar dhe periudhës pas viteve ’90, ku artisti mban një qëndrim më bashkëkohor dhe e kompozon trajtimin e tekstilit brenda tablosë. I pranishëm në ekspozitë ishte zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Vasil Tole. Ai përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi autorin Danjolli për punimet e kujdesshme, interesante dhe shumë të veçanta në raportet me motive kombëtare. Kuratori Artan Shabani theksoi se piktura e dr. Danjollit ka një forcë kulmore ekzekutive dhe një tension të fortë imagjinate, e cila është në të njëjtën kohë epike për magnetizimin e tij. Ekspozita që u çel në mjediset e Akademisë së Shkencave vjen në vijim dhe të aktiviteteve të tjera që janë zhvilluar më parë.

Scroll to Top