JiL.al - Jeto i Lumtur

Çfarë është Muaji i Ramazanit – Historiku dhe mesazhet që përcjell

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Data 11 mars sot shënon fillimin e Muajit të shenjtë të Ramazanit, ku muslimanët në të gjithë botën presin muajin më të rëndësishëm të vitit, muajin e agjërimit, një prej 5 shtyllave themelore të Islamit.

Historiku i Ramazanit

Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit Islam (Hixhri), i cili fillon me shpërnguljen e Profetit Muhamed (a.s.) nga Mekka në Medine në vitin 622.

Ramazani është gjithashtu muaji i Kur’anit, pasi pikërisht në këtë muaj në vitin 610 ka filluar zbritja hyjnore e Librit të Shenjtë, ndërkohë agjërimi si obligim për besimtarët është bërë në vitin 2 Hixhri.

Kalendari hënor lidhet me ciklet e hënës, ku një vit hënor ka rreth 355 ditë, kjo është arsyeja pse çdo vit Muaji i Ramazanit fillon rreth 11 ditë më herët në krahasim me kalendarin diellor.

Muaji i Agjërimit

Muslimanët në këtë muaj agjërojnë përreth 30 ditë, nga agimi deri në mbrëmje, duke abstinuar jo vetëm nga ushqimi dhe pija, por gjithashtu edhe nga mendimet, fjalët dhe sjelljet e pahijshme. Është muaji i reflektimit, ringritjes shpirtërore dhe afrimit të Zoti.

Agjërimi si praktikë fetare njihet dhe ka qenë i pranishëm në të gjithë popujt dhe besimet monoteiste, nga Hebraizmi, Krishterimi dhe Islami, megjithëse në forma dhe kohëzgjatje të ndryshme, me qëllim purifikimin dhe lartësim shpirtëror.

Muaji i Solidaritetit

Ramazani është muaji ku shtohet fryma e solidaritet, ku muslimanët nxitin njëri-tjetrin të jenë më bamirës, më solidarë dhe më pranë nevojtarëve. Ndërkohë, kush është i sëmurë kronik dhe e ka të pamundur agjërimin, obligohet të japë një sasi kontributesh si ushqim ditor për një të varfër apo nevojtar çdo ditë përgjatë Ramazanit, si kompensim për mosagjërimin e tyre dhe si shembull i solidarizimit.

Gjithashtu, çdo agjërues në fund të Ramazanit jep Fitrat e Ramazanit, që përfshijnë një kontribut monetar apo në ushqime për personat në nevojë, me qëllim që edhe ata që nuk kanë mundësi të ndiejnë atmosferën e festës së Bajramit dhe të gëzojnë në familjet e tyre.

Muaji i Afrimit te Zoti

Në një kohë ku bota është e trazuar nga luftërat, konfliktet, cënimi i shenjtërisë së familjes, konsumerizmit, etj. Ramazani si muaji i mëshirës dhe faljes, na kujton edhe njëherë se kemi më shumë se kurrë nevojë për Zotin, nevojë për paqe dhe qetësi, stabilitet të brendshëm dhe të jashtëm, të jemi më afër njëri-tjetrit dhe kontribuojmë më tepër për të mirën e familjeve, shoqërisë dhe vendit ku jetojmë.

Nga stafi i JIL.al ju urojmë të gjithë besimtarëve dhe besimtareve muslimanë kudo që ndodhen një muaj të begatë në familjet tuaja dhe agjërim të pranuar!

Scroll to Top