Çfarë është ‘treni bullgar’ që e pretendon PD-ja për manipulimin e votës

Jil
Jil
3 Min Read

Tiranë- Një term jo i padëgjuar më parë është hedhur sot, gjatë pretendimeve për vjedhje të votës nga Partia Demorkratike, “treni bullgar”.

Ishte një numëruese e Partisë Demokratike ajo e cila ngriti dyshimin se përse një tufë fletësh votimi në Tiranë ishin palosur në të njëjtën mënyrë. Fletët ishin diku te 10-15 të tilla, dhe sipas saj, palosja e fletëve në tre pjesë, në të njëjtën mënyrë ishte një provë për vjedhjen e votave.

“Shikojeni, ky është treni bullgar”, tha ajo në një video që më pas u ripostua nga Sali Berisha i cili gjithashtu pretendoi se skema e “trenit bullgar” ishte aplikuar në Shqipëri.

Këtë term PD-ja do e ripërdorte disa çaste më pas, për shkak se në qendrën e numërimit te “Sami Frashëri” u gjetën disa fletë të cilat kishin ngjyrë pak më të zbehtë se e verdha e fletëve të tjera.

Në fakt, kjo doli pas një denoncimi të Agron Shehajt, i cili tha se fletët me ngjyrë të zbehtë ishin vota për partinë e tij që u quajtën padrejtësisht si të pavlefshme. Pas kontestimit, ato iu numëruan partisë së Agron Shehajt. Ishin rreth 7 të tilla.

Belind Këlliçi tha se këto ishin prova të “trenit bullgar”. Kur gazetarja e pyeti se sa ishin në numër votat me ngjyrë të ndryshme, Këlliçi tha se nuk e dinte, dhe më pas pyeti numëruesin e PD-së. “Janë 3”, iu përgjigj ai. “Po, 3 janë aty po ishin më shumë”, shtoi Këlliçi.

Treni bullgar është një skemë e përdorur për herë të parë në Bullgari në vitin 2009, ku qytetarët që shisnin votën, merrnin në hyrje të qendrave të votimit një fletë të plotësuar dhe pasi hynin brenda votonin me fletën e plotësuar dhe dilnin nga qendra me fletë boshe. Kjo skemë, aty rezultoi se ishte bërë me rreth 300 mijë vota, kryesisht nga komuniteti i varfër i romëve të Bullgarisë.

Vlen të theksohet se gjatë zhvillimit të votimit në të gjithë vendin, nuk pati asnjë denoncim as nga vëzhgues të huaj apo opozitarë, të njerëzve me lekë në dorë që të “shisnin” fleta të gatshme votimi jashtë qendrave.

“Treni bullgar”, deri tani, nga opozita është pretenduar vetëm për Tiranën.

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania