
David Villa, legjenda e sulmit spanjoll dhe ish-yll i Barcelonës, nuk ka asnjë dyshim: Lamine Yamal është një fenomen i futbollit botëror, i destinuar për të shkruar historinë. Në intervistën e dhënë gjatë një eventi të LaLiga-s, Villa ka ngritur në qiell talentin e 17-vjeçarit:
“Është një lojtar thelbësor, jo vetëm për atë që transmeton me topin në këmbë, por edhe ndikimin që ka te shokët e skuadrës. Kundër Interit, ndjeva se të gjithë i drejtoheshin atij kur duhej vendosur ndeshja. Ishte si të thonin: Vetëm ai mund ta zgjidhë. Dhe ishte e vërtetë. Lamine ka një aurë shumë të fortë dhe të rrallë në futboll. E përcjell këtë në mënyrë të natyrshme. Një djalosh fantastik”.
Villa, që ka veshur fanellën blaugrana nga viti 2010 deri më 2013, ka kërkuar kujdes maksimal për Yamal: “Është ende fëmijë. Do të vijë edhe momenti kur gjërat nuk do të shkojnë mirë, në ato kohë duhet ta ndihmojmë dhe ta mbrojmë. Ai ka përpara një të ardhme të madhe”.
Duke u ndalur te krahasimi me kombëtaren kampione bote më 2010, ku ai vetë ishte protagonist, Villa u tregua i sinqertrë: “Për shkak të talentit që ka Lamine, mendoj se po, do të luante në atë kombëtare. Sidoqoftë, krahasimi midis epokave nuk ka shumë kuptim. Piqué tha se ndoshta nuk do ta kishim aktivizuar, por një gjë është e sigurt: ai ka cilësi për të luajtur në çdo epokë, me çdo skuadër”.
Villa e përfundon deklaratën e tij me një profeci, që emocionon tifozët katalanas dhe spanjollë: “Një ditë do ta fitojë ‘Topin e Artë’, pa dyshim”.