
Një i ri shqiptar, Erald Kamberi, është dënuar me 10 vite burg nga një gjykatë në Angli, pasi shkaktoi një aksident të rëndë ku humbi jetën një burrë 34-vjeçar.
Ngjarja ndodhi më 1 gusht 2025 në qytetin Ware, në Hertfordshire. Kamberi, i cili nuk kishte patentë, sigurim dhe as adresë banimi të qëndrueshme, po ngiste makinën me shpejtësi të madhe kur u përplas me një motorçikletë. Nga përplasja humbi jetën Phillip Bruce, i cili vdiq në vendngjarje.
Pas aksidentit, Kamberi u largua nga vendi, por policia e arrestoi ditën tjetër.
Në gjykatë, ai pranoi fajin për:
Shkaktim të vdekjes nga drejtimi i rrezikshëm
Drejtim pa siguracion
Gjykatësi e përshkroi drejtimin e tij si “të çmendur” dhe pa asnjë përgjegjësi. Kamberi ishte duke ngarë në anën e gabuar të rrugës dhe po tentonte të shmangte policinë.
Përveç burgut, ai nuk do të lejohet të ngasë automjete për 15 vjet, dhe pas daljes nga burgu do t’i nënshtrohet një testi të posaçëm për të marrë patentën.
Autoritetet do të shqyrtojnë gjithashtu deportimin e tij pasi të ketë vuajtur dënimin.
Policia tha se ky ishte një rast shumë i rëndë dhe theksoi dhimbjen që familja e viktimës po përjeton.