
Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Gjermani, ku kryebashkiakja e zgjedhur së fundmi, Iris Stalzer, 57 vjeçe, ka humbur jetën si pasojë e një sulmi të ndodhur në banesën e saj në qytetin Herdecke, në landin e Nordrhein-Westfalen.
Sipas autoriteteve hetimore, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në bodrumin e shtëpisë, ku Stalzer është goditur për vdekje nga vajza e saj e adoptuar, 17 vjeç. Mjekët konfirmuan se ajo kishte pësuar plagë të shumta, përfshirë dëmtime të rënda në kafkë dhe plagë me armë të mprehtë.
Hetimet paraprake tregojnë se viktima është torturuar për orë të tëra dhe më pas është transportuar me urgjencë në spital me helikopter, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.
Gjatë kontrollit në banesë, policia ka gjetur një thikë dhe rroba me gjurmë gjaku brenda një çante që i përkiste djalit 15-vjeçar të adoptuar. Dyshohet se vajza ka përdorur mjete shtëpiake për ta lënduar dhe më pas ka tentuar të pastrojë gjurmët përpara se të njoftonte shërbimet e emergjencës.
Autoritetet gjermane kanë konfirmuar se më parë kishte pasur tensione në familje, përfshirë një incident me thikë disa javë më parë.
Ndërkohë, të dy fëmijët e adoptuar janë vendosur nën kujdesin e zyrës për mirëqenien e të miturve, dhe hetimet vazhdojnë për të zbardhur të plotë motivet e kësaj ngjarjeje tragjike. Prokuroria po e trajton rastin si dëmtim të rrezikshëm trupor, duke marrë parasysh faktin që vajza e mitur ka kërkuar ndihmë pas incidentit, gjë që konsiderohet si tërheqje nga vepra penale.