JiL.al - Jeto i Lumtur

Spanja kërkon t’i bashkohet Afrikës së Jugut, zbulohet arsyeja

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Spanja u bë të enjten vendi i parë evropian që i kërkoi një gjykate të Kombeve të Bashkuara leje për t’iu bashkuar rastit gjyqësor të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit për gjenocid në Gazë.

Afrika e Jugut e paraqiti rastin e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në fund të vitit të kaluar, duke pretenduar se Izraeli po e shkel konventën e gjenocidit, në luftën në Gazë.

“Ne e morëm vendimin për shkak të operacionit të vazhdueshëm ushtarak në Gazë”, tha të enjten në Madrid, ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares.

“Ne duam që paqja të kthehet në Gazë dhe në Lindjen e Mesme. Që kjo të ndodhë, ne të gjithë duhet ta mbështesim gjykatën”, shtoi ai.

Meksika, Kolumbia, Nikaragua, Libia dhe palestinezët kanë kërkuar tashmë t’i bashkohen çështjes që po shqyrtohet aktualisht në gjykatën në Hagë të Holandës.

GjND urdhëroi Izraelin më 24 maj që “menjëherë të ndalë” ofensivën e tij ushtarake në Rafah, në jug të Gazës.
Sipas gjykatës, Izraeli duhet të ndalë edhe çdo veprim tjetër në Rafah, që mund të përkeqësojë jetesën e palestinezëve në këtë pjesë të Gazës.

Izraeli ka pak të ngjarë që të zbatojë një urdhër të tillë dhe i ka hedhur poshtë akuzat për gjenocid duke thënë se bën gjithçka që mundet për t’i mbrojtur civilët palestinezë në Gazë.

Shteti izraelit akuzon Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evorpian – për përdorimin e civilëve palestinezë si mburoja njerëzore.

Hamasi e sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë.

Pas këtij sulmi nisi lufta në Rripin e Gazës – të kontrolluar nga Hamasi.

Dhjetëra pengje të marra prej këtij grupi, u liruan gjatë një armëpushimi në nëntor, ndërsa disa të tjera u gjetën – të vdekura ose të gjalla – nga trupat izraelite.

Pasi të pranohet në këtë rast, Spanja do të jetë në gjendje të bëjë parashtresa me shkrim dhe të flasë në seancat dëgjimore publike.

Spanja, Irlanda dhe Norvegjia e kanë njohur më 28 maj zyrtarisht shtetin palestinez.

Qeveria e Sllovenisë, e ka mbështetur më 30 maj një mocion për njohjen e shtetit palestinez dhe i ka kërkuar Parlamentit ta bëjë të njëjtën gjë.

Më shumë se 140 shtete e njohin shtetin palestinez – më shumë se dy e treta e Kombeve të Bashkuara./REL

Scroll to Top