
Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Pretendimi”, pas kallëzimit të dy shtetasve, L. H. dhe A. C., të cilët u dhunuan dhe u kanosën nga një grup personash që pretendonin pronësinë mbi një sipërfaqe toke në zonën e Rrugës së Elbasanit.
Sipas informacioneve zyrtare, kallëzuesit deklaruan se e kishin blerë tokën në vitin 2021 nga një shtetas tjetër, por janë përballur me pretendime të paligjshme dhe sjellje të dhunshme nga ana e pesë personave, të cilët dyshohet se kanë ushtruar presion për ta marrë në zotërim këtë pronë.
Pas veprimeve të shpejta hetimore nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, u bë e mundur arrestimi i shtetasve Endri Allushi, Erald Basha, Ervin Topi, Ardian Shera.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi Emiljano Topi 37 vjeç, i cili dyshohet të jetë nismëtari i pretendimit të paligjshëm mbi pronën dhe organizator i ngjarjes. Të gjithë personat janë banues në fshatin Nikël të Krujës dhe rezultojnë shokë me njëri-tjetrin.
Policia vijon punën për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.