
Një 23-vjeçar me shtetësi italiane ka rënë në prangat e policisë teksa është kapur duke tërhequr nga një pikë postare në kryeqytet një pako ku në brendësi mbante një sasi lënde narkotike cannabis sativa.
Manurel Morella u arrestua nga forcat e policisë teksa tërhoqi nga një pikë postare në Tiranë një pako të ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ishin futur rreth 475 gramë lëndë narkotike me përqindje të lartë TCH me vlerë rreth 20 000 euro.
Gjithashtu nga kontrollet e ushtruara në banesën e Manurel Morellës, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 442 gramë kannabis sativa, një shumë e konsiderueshme parash si dhe 7 celularë.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme kundër veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike.
U kap në flagrancë duke marrë një pako me lëndë narkotike cannabis sativa me përqindje të lartë TCH, që ishte trafikuar nga SHBA, nëpërmjet shërbimit postar, vihet në pranga 23-vjeçari.
Sekuestrohen 917 gramë cannabis sativa me përqindje të lartë TCH (me vlerë rreth 20 000 euro), një shumë e konsiderueshme parash dhe 7 celularë.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, si rezultat i hetimeve disamujore të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Dërgesa”.
Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi italian M. M., 23 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në një degë postare, duke marrë një pako me rreth 475 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa me përqindje të lartë THC, që dyshohet se është trafikuar nga SHBA.
Më tej, gjatë kontrollit në banesën e tij, janë gjetur dhe sekuestruar 442 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, një shumë e konsiderueshme parash dhe 7 celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.