
Dy aksidente rrugore janë regjistruar brenda pak minutash në dy segmente të ndryshme të rrugëve kombëtare në Qarkun e Elbasanit, duke sjellë pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e përplasjes së automjeteve.
Ngjarja më e rëndë ka ndodhur në aksin kombëtar Elbasan–Librazhd, konkretisht në segmentin rrugor Xibrakë–Labinot Fushë, ku dy automjete janë përplasur mes tyre me një shpejtësi të konsiderueshme.
Përplasja ka qenë e fortë dhe për pasojë janë dëmtuar rëndë dy persona, të cilët u transportuan me urgjencë në spital.
Fatkeqësisht, njëri prej tyre nuk arriti t’i mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në ambientet spitalore.
Ndërkohë, një tjetër aksident është regjistruar në Kthesat e Murrashit, ku një automjet ka dalë nga rruga, por fatmirësisht pa pasoja serioze për drejtuesin e mjetit. Në vendngjarje shkoi policia dhe grupi hetimor që po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidenteve.
