Dyshohet se do vendosnin tritol, në pranga dy të rinjtë në Shkodër

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Mikelian Toma, 32 vjeç, dhe David Simoni, 34 vjeç, u arrestuan mbrëmjen e së mërkurës në Shkodër, pasi dyshohet se kishin në plan të vendosnin një sasi tritoli.

Ata po udhëtonin me motoçikletë në lagjen “Xhabije”, duke mbajtur skafandra, dhe veprimi i tyre u duk i dyshimtë për blutë e qytetit, të cilët i bënë shenjë të ndalonin.

Në momentin që drejtuesi i motoçikletës, Toma, u përpoq të largohej duke shtypur gazin, policia nisi ta ndiqte për 20 minuta, duke kaluar nga një rrugicë në tjetrën, deri sa arritën t’i ndalojnë dhe arrestojnë afër Varrezave të Dëshmorëve, apo Urës së Kirit.

Motoçikleta u përplas gjatë tentativës për t’u arratisur, dhe pas kontrollit, u zbulua se targa ishte e vjedhur dhe me numër shasie të ndryshuar.

Toma dhe Simoni nuk kanë bashkëpunuar gjatë marrjes në pyetje dhe nuk kanë dhënë informacione mbi qëllimin e veprimit të tyre, as mbi mundshmërinë e ndonjë shënjestrimi.

Pas arrestimit, policia kontrolloi automjetet e dy të arrestuarve, duke sekuestruar një bidon me benzinë, një silenciator dhe kokainë. Hetimet janë në vazhdim dhe priten të zbardhin detaje të tjera mbi ngjarjen.

Scroll to Top