
RUSI- Vajza e përfolur sekrete e presidentit rus, Vladimir Putin ka thyer heshtjen e saj për herë të parë me postime misterioze në mediat sociale. Elizaveta Krivonogikh, 22 vjeç, e njohur edhe si Luiza Rozova, e cilësoi “babanë” e saj, si një burrë që i shkatërroi jetën asaj. Në postime ajo zbuloi dhe mendimet e ndjenjat për luftën e Rusisë në Ukrainë .
Luiza, një e diplomuar në shkollën e artit dhe që jeton në Paris, foli për “njeriun që mori miliona jetë dhe shkatërroi timen” – me sa duket një referim i hidhur për babain e saj. Postimet nuk e përmendin në mënyrë të qartë Putinin, por në kontekstin e raportimeve të përhapura rreth identitetit të babait të saj, kjo mund të kuptohet si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj tij.
Në një postim tjetër, ajo shkroi: “Është çliruese të jem në gjendje t’ia tregoj përsëri fytyrën time botës. Më kujton kush jam dhe kush ma shkatërroi jetën”, raporton Bild, media gjermane cila ka qasje në kanalin privat të 22-vjeçares në Telegram, “Art of Luiza”.
Në llogarinë e saj në Instagram, Luiza ishte siguruar ta fshihte fytyrën, por kohët e fundit ajo ka ndarë përsëri foto të plota të vetes. Ajo nuk specifikon se kur ose ku janë bërë fotot, por më e fundit është në rrjetin rus të kafeneve “Surf Coffee”.
Luiza lindi më 3 mars 2003 në Shën Petersburg dhe besohet të jetë fëmija e një afere midis Putinit dhe ish-pastrueses së tij Svetlana Krivonogich. Pretendimet për identitetin e babait të saj u bënë publike për herë të parë nga projekti hetimor “Proekt”, i cili është kritik ndaj Kremlinit, në vitin 2020.
Nëna e saj thuhet se u bë shumë e pasur pas lindjes së saj, duke nxitur spekulimet se paratë kishin ardhur nga Putini për të blerë heshtjen e saj. Luiza më parë kishte llogari publike në mediat sociale në Rusi, të cilat e tregonin duke udhëtuar nëpër botë me avionë privatë dhe duke veshur veshje firmato.
Por më pas, pak para se Rusia të pushtonte Ukrainën, llogaria e saj u fshi papritur. Që atëherë ajo është zhvendosur në Paris dhe është diplomuar në Shkollën ICART të Menaxhimit të Kulturës dhe Artit në qershor 2024.
Pasi u largua nga Rusia, ajo shprehje në Telegram: “Nuk mund të bëj asnjë xhiro shtesë rreth Shën Petersburgut tim të dashur”. Nuk mund të vizitoj vendet dhe institucionet e mia të preferuara.”
Ajo duket se është më e përfshirë në politikë dhe flet hapur kundër luftës në Ukrainë. Mediat e huaja raportojnë se ajo po punon në L Galerie në Belleville dhe Espace Albatros në Montreuil, të dyja galeri arti në Paris të cilat organizojnë ekspozita kundër luftës.
Ajo ka përvetësuar gjithashtu emrin Elizaveta Rudnova , me sa duket sipas Oleg Rudnov, njërit prej miqve të ndjerë të Putinit, në një përpjekje për të fshehur identitetin e saj të vërtetë.
Roli i saj si menaxhere e galerisë thuhet se përfshin ndihmën në organizimin e shfaqjeve dhe në realizimin e videove. Por përpjekja e Luizës për t’u futur në qarqet disidente në Paris nuk ka kaluar pa rezistencë. Artistja Nastya Rodionova, e cila iku nga Rusia në vitin 2022, lëshoi një deklaratë të ashpër dhe i preu lidhjet e saj me dy galeritë me të cilat është e lidhur Luiza.
Në një postim në Facebook, ajo shkroi: “Është e rëndësishme të them se besoj në prezumimin e pafajësisë dhe se fëmijët nuk janë përgjegjës për krimet e prindërve të tyre. Por, me luftën që po arrin kulmin, është e papranueshme të lejohet që një person që vjen nga një familje përfituesish të regjimit [të Putinit] të përballet me viktimat e atij regjimi. Ne duhet të dimë me kë po punojmë dhe të vendosim nëse jemi gati për këtë. Përgjigja ime personale në këtë rast është jo.”
Luiza e ka mbrojtur qëndrimin e saj dhe ka shkruar: “A jam vërtet përgjegjëse për aktivitetet e familjes sime, e cila as nuk më dëgjon?”
Dmitry Dolinsky, drejtor i “L Association”, e cila kontrollon Studio Albatros dhe L Galerie, mbështeti përfshirjen e Luizës. Ai i tha për The Times: “Ajo duket si Putin, por edhe si 100,000 njerëz të tjerë. Nuk kam parë një test ADN-je .” Të tjerë e mbështetën atë, duke e quajtur një person të kulturuar dhe punonjëse të shkëlqyer.