
Luciano Spalletti nuk është më trajner i kombëtares italiane.
Pas humbjes së rëndë kundër Norvegjisë dhe përballjes me një valë kritikash të ashpra – përfshirë edhe deklaratat e presidentit të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Gabriele Gravina – trajneri konfirmoi largimin nga posti.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur ditën e sotme, Spalletti deklaroi: “U takova me presidentin dhe folëm gjatë. Ai më komunikoi se më kishte shkarkuar nga detyra. Nuk doja kurrë të largohesha nga ky pozicion, nuk ishte qëllimi im.
Trajneri theksoi se e pranon vendimin dhe mban përgjegjësinë për rezultatet. “Ekziston një shkarkim dhe unë e marr në konsideratë atë, ashtu si rezultatet që kemi pasur. Marr përgjegjësinë e plotë për to,” shtoi ai.
Spalletti konfirmoi gjithashtu se do të firmosë rezolutën konsensuale pas ndeshjes së fundit që do të drejtojë – ajo kundër Moldavisë.
Ky është një kapitull që mbyllet me zhgënjim për një trajner që kishte nisur me pritshmëri të mëdha, por që nuk arriti të rikthejë shkëlqimin e “Azzurrëve” në arenën ndërkombëtare.
Federata pritet të njoftojë emrin e trajnerit të ri në ditët në vijim.