
Pesë të mitur, të moshave 15 dhe 17 vjeç, janë arrestuar nga policia e Tiranës pas një sherri me armë të ftohta me tre të tjerë, të cilët përfunduan në spital. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë rreth orës 19:50 në rrugën “Ali Begeja”, ku të plagosur mbetën Ahmed Agolli 22-vjeç, dhe dy 19-vjeçarët Hendri Rasa dhe Klaus Miha, dhe të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Raportohet se sherri mes të rinjve ka nisur një natë para sulmit. Adoleshentët po konsumonin cigare hashashi para një lokali dhe të plagosurit u kanë kërkuar të largohen nga aty.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4: arrestuan 5 të mitur të moshave 15 dhe 17 vjeç, pasi më datë 10.09.2025, rreth orës 19:50, në rrugën “Ali Begeja”, dyshohet se kanë goditur me armë të ftohta, shtetasit A. A., 22 vjeç, H. R., 19 vjeç dhe K. M., 19 vjeç, të cilët morën ndihmë mjekësore në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u gjetën në vendngjarje dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 armë të ftohta, të dyshuara të përdorura gjatë konfliktit”, njoftoi policia