
Aktori Florian Binaj, i njohur prej vitesh për rolet e tij të spikatura si “Edi Rama” dhe “Polici i Portokallisë” dhe tashmë si moderator i emisionit investigativ “Piranjat”, ka shpallur kandidaturën si i pavarur për drejtimin e bashkisë së Tiranës.
Binaj, 40 vjeç, lindur në Tiranë, e shpalli kandidimin një ditë më parë dhe menjëherë më pas, sot, e shpalli si kandidatin që do të mbështesë PD. Berisha madje tha se do t’ia paraqesë edhe aleatëve kandidaturën e Florjan Binajt, duke vlerësuar se ai është në linjën e parë të luftës kundër korrupsionit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paraqiti emrin e Florjan Binajt si kandidaturë të vlefshme përballë socialistes Ogerta Manastirliu në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvillohen në Tiranë më 9 nëntor.
Në një dalje për mediat nga selia blu, lideri i opozitës deklaroi se grupi i mandatuar nga PD do t’u paraqesë aleatëve sugjerimin për të mbështetur atë që e cilësoi si ‘luftëtarin e paepur të kauzave të qytetarëve shqiptarë dhe komunikatorin e talentuar, Florjan Binaj.’
‘PD, duke falënderuar me mirënjohje secilin prej atyre që vendosi të paraqesë kandidaturën e tij në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe përballjen me të keqen e këtij vendi, që është Edi Rama, informon se grupi i mandatuar nga PD do u paraqesë aleatëve tanë mendimin dhe sugjerimin që të mbështesim së bashku artistin e mirënjohur, Florjan Binaj,’ u shpreh Berisha.
Gjatë prezantimit të Florjan Binajt si kandidat të mbështetur nga PD, kryedemokrati Berisha tha se ‘Florian Binaj është nga ata artistë që konsideron kauzat qytetare si kauzat e tij. Dhe të gjithë ju jeni dëshmitarë të betejave që ai ka bërë së bashku me të tjerë në mbrojtje të këtyre kauzave”.
Lideri i opozitës siguroi se kandidati do të ketë ndihmën dhe mbështetjen që kërkon nga PD. Ai madje dha garancinë e plotë të forcës politike që drejton, duke theksuar se PD do të jetë një mbështetje e plotë dhe totale për kandidatin e propozuar Florjan Binaj. Ndërsa pohoi se forma e mbështetjes do të përcaktohet nga ekipi i fushatës dhe vetë kandidati.
Më herët dje, Binaj tha se po kandidon si një artist i përfshirë në çështje publike me interes kombëtar prej 22 vitesh, si një kryefamiljar, i rritur në një kryeqytet i cili ka shkatërruar shumëçka në emër të zhvillimit dhe që shumë pak gjëra kanë mbetur ende pa u bërë ish, nisur nga nevoja e menjëhershme për të pasur në drejtim të kryeqytetit një figurë e cila nuk është gjymtyrë e asnjë partie pasi e kemi parë në 34 vite që kjo mënyrë jo e drejtpërdrejtë nuk ka qënë frytëdhënëse në përmirësimin e cilësisë së jetës tonë. Na duhet një drejtues qytetar i zgjedhur nga qytetarët për qytetarët sepse asnjë nga ne nuk mund të presë më edhe 34 vite të tjera.
Prandaj tha Binaj, kam vendosur, të shpall kandidaturën time për Kryetar Bashkie të Tiranës duke dhënë gjithë veten time për të përfaqsuar sa më denjësisht çdo qytetare dhe qytetar, me apo pa parti, elektoratin gri por pa i ndarë njerëzit në krahë, por si të barabartë, sepse asnjë qytet dhe aq më tepër kryeqyteti, nuk mund ti shërbejë vetëm palës politike që e drejton. Unë besoj se kontributi im do i shërbejë edhe pse gjysëm mandati, shpresës dhe bashkimit, përmirësimit të jetës të të gjithë kryeqytetasve.
Binaj kërkoi mbështetjen edhe të partive jashtë koalicionit të Berishës. Dhe reagimi erdhi. Lëvizja Shqipëria Bëhet deklaroi se do ta mbështesë Binaj dhe të njëjtën gjë deklaroi edhe Nisma Thurje. /noa.al