JiL.al - Jeto i Lumtur

 VOA: Ekonomia, çështje kyçe për votuesit në Viskonsin

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Viskonsin është një nga shtetet e papërcaktuara ku gara zgjedhore për president është me rëndësi kritike si për republikanët, ashtu edhe për demokratët. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, njofton se çfarë i motivon votuesit ndërsa fushata në këtë shtet po intensifikohet.  Kur Zëri i Amerikës takoi Gonzalo Perezin, pronarin e një restoranti në Viskonsin, në vitin 2017, ai priste një rritje të madhe të biznesit.

Është sikur të kisha fituar lotarinë”, tha ai në vitin 2017.

Optimizimi i tij bazohej tek planet që kompania tajvaneze ‘FoxConn’ do të ndërtonte një fabrikë për prodhimin e televizorëve, jo shumë larg restorantit të tij. Plani ishte të punësoheshin deri në 13,000 punëtorë të cilët zoti Perez mendonte se mund të shkonin në restorantin e tij. Por ëndrrat e tij dhe planet e ‘FoxConn-it’, nuk u realizuan. Tani, fabrika e FoxConn-it në Viskonsin jugor punëson më pak se 1000 njerëz.

“Premtimi nuk u realizua kurrë”, thotë zoti Perez tani.

Në vend të një restoranti të mbushur me klientë, zoti Perez ka mbetur me tavolina bosh, mungesë të stafit dhe kosto në rritje për shkak të inflacionit.

“Ekonomia me të vërtetë është keq”, thotë ai.

“Mendoj se shqetësimi kryesor për shumë votues është se si do t’ia dalin me rritjen e kostos së jetesës”, thotë Bob Wittke, ligjvënës republikan në Viskonsin.

Qarku që përfaqëson zoti Wittke në asamblenë shtetërore është afër restorantit të zotit Perez dhe fabrikës së ‘FoxConn-it’. Ndërsa ekonomia është prioritet për votuesit, ai thotë se votuesit janë të zhgënjyer edhe me mungesën e bashkëpunimit në mes të ligjvënësve të dy partive.

“Votuesit e të dyja partive ankohen që nuk punojmë së bashku. Thonë se nuk po realizojmë asgjë”.

Nick Ramos është drejtor i organizatës ‘Fushata për Demokraci në Viskonsin’, që ai thotë se është e përqëndruar në ‘qeverisjen e mirë’ në shtet. Organizata së fundmi mori pjesë në përpjekjet e suksesshme për të ndryshuar hartën e ndarjes së qarqeve në asamblenë e shtetit. Sipas tij, votuesit shprehin shqetësim mbi të ardhmen e demokracisë amerikane.

“Shpresa ime është që pavarësisht se kush fiton zgjedhjet presidenciale, fituesi jo vetëm që duhet të shprehë dëshirën, por edhe të bëjë çdo gjë që është e mundur për të mbrojtur demokracinë dhe të gjejë mënyra për ta përmirësuar atë”,

 thotë për Zërin e Amerikës zoti Ramos.

Viskonsin është një shtet i ndarë aq sa çdo pjesë tjetër e vendit. Republikanët dhe demokratët në këtë shtet megjithatë pajtohen se suksesi në këto zgjedhje varet nga aftësia për t’i bindur banorët të marrin pjesë në zgjedhje.

“Sot ju pyes juve në Viskonsin, a jeni gati të fillojmë punën”, tha gjatë tubimit në këtë shtet kandidatja demokrate për president, Kamala Harris.

Anketat e bëra së fundmi tregojnë se zonja Harris ka një epërsi të vogël kundrejt rivalit republikan, Donald Trump.

“Një votë për Trump-in është një votë për të shpëtuar Viskonsinin dhe vendin”, thotë ish Presidenti Trump.

Pronari i restorantit, Gonzalo Perez nuk ka marrë pjesë në ndonjë tubim zgjedhor dhe nuk ka takuar asnjërin prej kandidatëve.

“Mënyra e jetesës nuk ndryshon, pavarësisht se kush fiton. Unë duhet të punoj 7 ditë në javë, me orar të njëjtë, paguaj taksat regullisht. Nuk shohë asnjë përfitim”, thotë ai.

Zoti Perez thotë se ka një faktor gjithsesi që do të ndikojë tek vendimi i tij se për kë të votojë.

“Do të votoj për atë që përfaqëson ndryshimin”, thotë ai./ VOA

Scroll to Top