E gjithë Europa ka drejtuar sytë tek Franca. Mbetet shumë pak nga dalja e exit polle-ve të raundit të parë të zgjedhjeve parlamentare. Kjo për shkak se për herë të parë që pas Luftës së Dytë Botërore, qeveria mund të bjerë në dorë të një partie të ekstremit të djathtë. Dhe kjo do të thotë shumë për Europën, pasi Franca nuk është as Austria, as Hungaria dhe madje as Italia. BBC shkruan se Franca dhe Gjermania janë konsideruar shpesh si “motori i Europës”. Dhe tashmë të dyja vendet janë lëkundur fort.
Pjesëmarrja në orën 17:00 në Francën kontinentale ishte historike pasi numërohej në rreth 60% sipas ministrisë së brendshme të këtij vendi. Një rritje e konsiderueshme nga 39.42% që kishin votuar në të njëjtën kohë në zgjedhjet e fundit parlamentare në 2022. Sondazhet sugjerojnë se këto zgjedhje parlamentare mund të kenë pjesëmarrjen më të lartë në gati 30 vjet. Kompania e sondazheve Elabe vlerësoi se pjesëmarrja përfundimtare do të arrinte në 69.5%.
Sondazhet kanë treguar se, për sa i përket përqindjes së përgjithshme të votave kombëtare, Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë mund të rrisë në rreth 35% mbështetjen e tij, një shtesë e ndjeshme në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare, kur mori pak më shumë se 18%,. Aleanca e majtë është parashikuar të renditet në vend të dytë me rreth 27% ndërsa centristët e Emmanuel Macron me rreth 21%.
Sistemi zgjedhor i Francës mund ta bëjë të vështirë një vlerësim të saktë të shpërndarjes së vendeve në Asamblenë Kombëtare prej 577 vendesh dhe rezultati përfundimtar nuk do të dihet deri në fund të raundit të dytë të votimit më 7 korrik.
“Ne do të fitojmë një shumicë absolute” – tha Le Pen në një intervistë të mërkurën, duke parashikuar se i kandidati i saj, 28-vjeçari Jordan Bardella, do të ishte kryeministri i ardhshëm. Ajo është përpjekur të detoksifikojë partinë e saj të njohur për racizëm dhe antisemitizëm, një taktikë që ka funksionuar për të tërhequr votuesit e zemëruar me Macron për shkak të kostos së lartë të jetesës dhe shqetësimeve në rritje për emigracionin.
Në Hénin-Beaumont, një qytet në zonën elektorale të Le Pen në Francën veriore, ku ajo mund të rizgjidhet që në raundin e parë, 67-vjeçari Denis Ledieu thotë për Reuters se njerëzit po vuanin për shkak të deindustrializimit afatgjatë të rajonit. “Nëse Le Pen u premton atyre këto gjëra, atëherë pse jo? Mendoj se ata duan ta provojnë atë” –
Në Garches, një qytet i vogël afër Parisit, një grua bërtet: “Është e turpshme, është e turpshme” ndërsa Bardella mbërriti për të hedhur votën e tij. Në anën tjetër të Parisit, në qytetin Meaux, 51-vjeçarja Mylène Diop tha se kishte votuar për Frontin e Ri Popullor, një zgjedhje për koalicionin e majtë. Ajo tha se ishin “zgjedhjet më të rëndësishme” të jetës së saj.
Nëse Fronti Nacional fiton një shumicë absolute, diplomacia franceze mund të shkojë drejt një periudhe të paprecedentë turbulencash. Macron ka thënë se do të vazhdojë presidencën e tij deri në fund të mandatit të tij në 2027, por Bardella do të përpiqet të marrë të drejtën për të folur në emër të Francës. Franca ka pasur tre periudha “bashkëjetese” kur presidenti dhe qeveria kanë qenë nga kampe të kundërta politike, në historinë e saj të pasluftës, por asnjë me botëkuptime të tilla, rrënjësisht të ndryshme që të konkurrojnë në krye të shtetit.
Bardella thotë se do të sfidonte Macron për çështjet globale. Franca mund të mos jetë më një nga shtyllat e BE-së pasi do të kërkojë një ulje të kontributit të saj në buxhetin e BE-së. Kjo do të sjellë përplasje me Brukselin edhe për postet në Komisionin Evropian. Një fitore e qartë e Frontit Nacional do të sillte gjithashtu pasiguri se ku qëndron Franca në luftën Rusi – Ukrainë.
Le Pen ka një histori të ndjenjave pro-ruse dhe teksa partia e saj thotë se do ta ndihmonte Ukrainën të mbrohej kundër pushtuesve rusë, ajo ka vendosur gjithashtu “vija të kuqe”, të tilla si refuzimi për të ofruar raketa me rreze të gjatë.