
Ish-kryebashkiaku socialist i Kavajës, Elvis Roshi është pozicionuar sot publikisht pro liderit të PD-së, Sali Berisha në zgjedhjet e 11 Majit.
Në një status në faqen e tij në facebook, ai ka konfirmuar pjesëmarrjen në mitingun e demokratëve dy ditë më parë, për të cilin tha se ka mbështetur kushëririn, Elton Roshi që kandidon në listën e hapur të demokratëve.
Roshi shkruan se nuk ka shkuar i maskuar në atë miting, por ka vendosur kapuç për shkak se po binte shi.
“Unë nuk i fshihem askujt e nuk maskohem prej askujt. Unë isha në atë takim elektoral sepse unë mbështes kushuririn tim, djalin e xhaxhait, birin e Kavajës, Elton Rroshi. Dhe për të mbështetur njeriun e familjes time, unë nuk kam as frikë, as drojë e asgjë tjetër”, shkruan ish-kryebashkiaku socialist.
Elvis Roshi ka qenë ndër “viktimat” e parë të ligjt të dekriminalizimit të iniciuar nga PD-ja në Kuvend, kur u detyrua të jepte dorëheqjen pasi iu zbulua se kishte mbajtur të fshehtë një dënim në Itali.
Ish-kryeministri Berisha ka bërë një sërë deklaratash kundër Roshit gjatë kohës që ai mbante detyrën e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, ndërkohë që duket se për zgjedhjet e 11 Majit gjithçka është lënë pas krahëve, kur vetë Roshi ia ka harruar akuzat Berishës.
