
Florian Semani është emëruar zëvendësministër i Financave, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të bërë publik pas mbledhjes së sotme.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 2 të nenit 6 të ligjit nr. 9000, datë 30.1.2003, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave’, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: Florian Semani emërohet zëvendësministër i Financave. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në ‘Fletoren Zyrtare’”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ky emërim vjen pas disa ndryshimeve në strukturën e zëvendësministrave të Financave. Në mars 2024, Adela Xhemali u lirua nga detyra e zëvendësministres së Financave dhe Ekonomisë për t’u emëruar zëvendësministre e Financave. Po ashtu, Olta Manjani u emërua zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, duke zëvendësuar Dajna Sorensen.
Aktualisht, Ministria e Financave drejtohet nga ministri Petrit Malaj.