Fluksi i lëvizjeve në portin e Durrësit ka pësuar rritje për shkak të festave të fundvitit, me emigrantët shqiptarë që janë rikthyer në atdhe për të kaluar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri me familjarët. Mëngjesin e sotëm, 4536 pasagjerë mbërritën në portin e Durrësit me 3 tragete të linjës Bari – Durrës dhe Ankona – Durrës, ndërsa 1157 pasagjerë u larguan nga porti.
Deri në mbrëmje pritet mbërritja e dy trageteve të tjera nga Bari, kështu që shifrat e pasagjerëve nuk janë përfundimtare për këtë të diel. Duke nisur nga 19 dhjetori, tragetet kanë realizuar lundrime të dyfishta çdo ditë për të përballuar fluksin e udhëtarëve.
Për të menaxhuar fluksin, autoritetet portuale kanë vënë në dispozicion 30 sportele për përpunimin e shpejtë të pasagjerëve dhe mjeteve të tyre. Fluksi i pasagjerëve në këto ditë pritet të jetë rreth 10% më i lartë krahasuar me vitin e kaluar, por shumë më i ulët se në sezonin veror.
Në periudhën janar-nëntor të këtij viti, porti i Durrësit ka përpunuar 716,214 pasagjerë, nga të cilët 337,324 kanë qenë në hyrje dhe 378,890 në dalje.