Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian ka vendosur se Hungaria duhet të paguajë një gjobë prej 200 milionë eurosh për mosrespektim të politikës së migracionit dhe azilit.
Por jo vetëm kaq… Vendi i Viktor Orbanit, avokatit më të madh të politikës kundër emigracionit në BE, gjithashtu duhet të paguajë një milion euro në ditë derisa të plotësojë ato kushte, për të cilat gjobitet.
Konkretisht, Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) vendosi sot se Hungaria duhet të paguajë një shumë prej 200 milionë euro dhe gjobë prej 1 milionë euro për çdo ditë vonesë për moszbatimin e masave të kërkuara prej saj në lidhje me politikën e migracionit dhe azilit.
Gjykatësit në Strasburg thanë në dhjetor 2020 se Hungaria nuk kishte respektuar ligjin e BE-së për trajtimin e emigrantëve dhe e urdhëruan atë të zbatonte ndryshimet.
Gjykata tha se moszbatimi i vendimit të saj është “i paprecedentë dhe një shkelje jashtëzakonisht e rëndë e ligjit të BE”, citon noa.al.
Për më tepër, u konstatua se “Hungaria nuk ka marrë masat e nevojshme për të zbatuar vendimin e vitit 2020 në lidhje me aksesin në procedurën e mbrojtjes ndërkombëtare”.
Vendimi gjithashtu thekson se Budapesti nuk respektoi të drejtën e aplikantëve që kërkonin mbrojtje për të qëndruar në Hungari deri në vendimin përfundimtar për ankesat kundër refuzimeve dhe se “deportoi shtetasit e vendeve të treta që qëndronin ilegalisht në Hungari”. /noa.al