Fali djalin e tij, demokratët në SHBA zhgënjehen me vendimin…

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Washington- Pas disfatave në zgjedhjet e nëntorit, disa demokratë ndjehen të zhgënjyer në lidhje me ndryshimin e qëndrimit të Presidentit Biden, i cili përdori kompetencat që i ofron detyra për të falur djalin e tij.

Vendimi presidencial vjen pas goditjeve disavjeçare kundër Donald Trumpit nga Partia Demokrate, duke e akuzuar atë se përbënte kërcënim për demokracinë amerikane dhe për shpërfillje ndaj ligjit.

Mbrëmjen e së dielës, zoti Biden përdori autoritetin presidencial për të falur të birin, duke shkelur mbi premtimet e mëparshme dhe duke e çliruar Hunter Bidenin nga çdo krim i mundshëm federal që mund të kishte kryer ai brenda një harku kohor 10-vjeçar.

Presidenti 82-vjeçar tha përmes një deklarate se ndjekja penale e djalit të tij nën akuza për evazion fiskal dhe falsifikim të dokumentacionit federal për blerje arme, kishte motive politike.

“Ai beson tek sistemi i drejtësisë, por gjithashtu beson se politika e infektoi procesin dhe çoi në dështim të drejtësisë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre në lidhje me vendimin e Presidentit Biden.

Për muaj me radhë, zëdhënësja Jean-Pierre, Presidenti Biden dhe zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë kishin ngulur këmbë se djali i presidentit, Hunter Biden, nuk do të falej.

Arsyetimi i Shtëpisë së Bardhë nuk u prit mirë nga disa demokratë të zemëruar se vendimi i Presidentit Biden do ta bënte më të vështirë përballjen me presidentin e ri republikan.

Republikani Donald Trump, i cili rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar për një mandat të dytë presidencial, ka argumentuar se aktakuzat e ngritura ndaj tij ishin rezultat i përdorjes për arsye politike të sistemit të drejtësisë nga Presidenti Biden dhe demokratët.

“Ky është një precedent i keq që mund të abuzohet nga presidentët e ardhshëm dhe fatkeqësisht do ta dëmtojë reputacionin e tij”, shkroi në rrjetin X guvernatori i Kolorados Jared Polis. “Kur bëheni president, roli juaj është të jeni babai i kombit”, shprehej më tej guvernatori, duke iu referuar Presidentit Biden i cili e përdori rolin e prindit për të shpjeguar vendimin për faljen e djalit të tij.

“Hunter ishte autor i problemeve të tij me ligjin dhe njerëzit mund të ketë simpati për vuajtjet e tij, por duke pranuar gjithashtu se askush nuk është mbi ligjin, as presidenti dhe as djali i presidentit.”

Ligjvënësi demokrat i Arizonës, Gred Stanton, tha në rrjetin X se: “Kjo nuk ishte çështje e motivuar politikisht. Hunteri shkeli ligjin dhe u dënua nga një juri.”

Shumë demokratë të tjerë e mbështesin vendimin e Presidentit Biden për faljen e djalit të tij.

“Trump fali Roger Stone, Steve Bannon, Michael Flynn dhe Paul Manafort, si dhe babanë e dhëndrit të tij, Charles Kushner, të cilin ai sapo e emëroi ambasador në Francë”, shkroi në rrjetin X demokrati Jon Cooper, i njohur për mbledhje fondesh për fushatat demokrate.

“Biden kishte të drejtë që e fali të birin, Hunter Biden, për ta mbrojtur nga politizimi i FBI-së nga Kash Patel”, shprehej më tej zoti Cooper. Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ka emëruar të besuarin e tij, Kash Patel për të drejtuar Byronë Federale të Hetimeve e cila aktualisht drejtohet nga Christopher Wray.

Zonja e Parë, Jill Biden tha të hënën nga Shtëpia e Bardhë se mbështeste vendimin për faljen e djalit të saj.

Republikanët korrën një fitore në tre fronte në zgjedhjet e nëntorit, duke shënuar rikthimin e zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.

Falja presidenciale gjithëpërfshirëse për zotin Hunter Biden mbulon jo vetëm çështjet e hapura ndaj tij për falsifikim të dokumenteve për armëmbajtjen dhe mospagimin e taksave, por gjithashtu çdo vepër tjetër që ai ka kryer, mund të kryer ose marrë pjesë gjatë periudhës nga 14 janari i vitit 2014 deri më 1 dhjetor 2024./VOA

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Scroll to Top