
Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë periudhës së festave të fundvitit, që do të zbatohet nga mëngjesi i datës 24 dhjetor 2024 deri më 3 janar 2025.
Ky plan ka për qëllim të sigurojë një mjedis të sigurt për qytetarët dhe të parandalojë ngjarjet kriminale gjatë festimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Plani parashikon një prezencë të shtuar të forcave të policisë dhe kontroll të plotë të territorit. Do të bëhet një vëmendje e veçantë ndaj shtetasve me precedentë kriminalë, si dhe do të kontrollohen automjetet dhe ambientet që ata frekuentojnë, bazuar në inteligjencën informative. Policia gjithashtu do të garantojë informacionet në kohë për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe për të kapur shtetasit e shpallur në kërkim.
Për të shmangur radhët e gjata në hyrje dhe dalje, janë shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Policia do të bashkëpunojë me homologët në pikat tokësore për të krijuar lehtësira ligjore dhe për të siguruar lëvizje të njëtrajtshme në të dyja anët e kufirit. Kontrolli është rritur gjithashtu në kufirin e gjelbër dhe në pikat e kontrollit kufitar, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
Për të parandaluar aksidentet rrugore, janë shtuar monitorimet në akset rrugore me makina inteligjente, radarë automatikë, dronë inteligjentë dhe alkooltestues. Po ashtu, patrullat lëvizëse me mjete të pauniformuara do të kenë rol të rëndësishëm në mbikëqyrjen e trafikut. Gjatë natëve festive të Krishtlindjes dhe ndërrimit të viteve, si dhe për ditët e para të vitit 2025, prezenca policore do të rritet në shëtitore, zona pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve dhe për të bashkëpunuar me policitë bashkiake.
Gjithashtu, janë parashikuar masa për mbajtjen nën kontroll të sigurisë dhe rendit në restorante, lokale dhe qendra tregtare që frekuentohen nga shumë qytetarë gjatë periudhës festive. Për të parandaluar ngjarjet kriminale, janë shtuar shërbimet dhe patrullimet pranë bankave, zyrave të këmbimit valutor dhe tregjeve, si dhe objekteve të tjera ku administrohen vlera monetare dhe materiale.