
Mbrëmjen e sotme, në stadiumin ‘Tarczyński Arena’ në Wroclaw të Polonisë, do të luhet finalja e UEFA Conference League mes Real Betis dhe Chelsea, duke nisur nga ora 21:00.
Për spanjollët e Real Betis, kjo është finalja e parë evropiane në histori, një arritje e madhe nën drejtimin e trajnerit Manuel Pellegrini. Betis e mbylli sezonin në La Liga në vendin e gjashtë, duke siguruar pjesëmarrjen në Europa League për edicionin e ardhshëm. Fitorja e trofeut sot do të ishte suksesi më i madh ndërkombëtar në historinë e klubit.
Nga ana tjetër, Chelsea, nën drejtimin e Enzo Maresca, synon të bëhet klubi i parë që fiton të gjitha kompeticionet kryesore të UEFA-s: Champions League, Europa League, Kupa e Kupave dhe tani edhe Conference League. Blutë londinezë arritën në finale pas një fitoreje bindëse ndaj Djurgarden dhe përfunduan sezonin në vendin e katërt në Premier League, duke siguruar rikthimin në Champions League pas disa vitesh mungesë.