Atentatori i kryeministrit të Sllovenisë, ka treguar motivin pse qëlloi me armë zjarri mbi Robert Ficon, duke e lënë të plagosur rëndë.
Shkrimtari 71-vjeçar Juraj Cintula, tha se qëlloi mbi kryeministrin e vendit të tij pasi “nuk ishte dakord me politikat e qeverisë”.
Autori i dyshuar Juraj Cintula kishte shërbyer në të kaluarën si një ish-punonjës i një kompanie private sigurie dhe është autor i një koleksioni poezish. Lajmi bëhet i ditur nga televizioni lokal Markiza.
Disa media raportojnë se Fico nuk është popullor në Sllovaki për shkak të pikëpamjeve të tij duke e cilësuar atë si një populist që erdhi në pushtet me një platformë pro-Ruse dhe anti-amerikane.
Ai u zotua t’i japë fund mbështetjes ushtarake të Sllovakisë për Ukrainën si dhe ka pretenduar se NATO dhe Shtetet e Bashkuara provokuan Moskën për të hyrë në luftë.
Pas fitores së tij në zgjedhje, qeveria e re ndaloi menjëherë dërgesat e armëve në Ukrainë. Mijëra qytetarë dolën në mënyrë të përsëritur në rrugë në të gjithë Sllovakinë për të protestuar kundër politikave pro-ruse të Ficos, duke përfshirë planet e tij për të ndryshuar kodin penal për të eliminuar një prokuror të posaçëm kundër korrupsionit dhe për të marrë kontrollin e medias publike.