
Në konferencën për shtyp para ndeshjes gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Interit, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ndau mendimet e tij për sfidën e mbrëmjes së sotme dhe situatën aktuale të skuadrës që drejton.
Për Interin si kundërshtar: “Ne po përballemi me një nga skuadrat më të forta në Ligën e Kampionëve. Ata janë shumë të sigurt në mbrojtje dhe luajnë mjaft mirë. Ne duhet të jemi më të mirë se ata për të fituar”.
Flick konfirmoi se Wojciech Szczęsny do të vazhdojë si portier titullar për pjesën e mbetur të Ligës së Kampionëve, pavarësisht se Marc-André ter Stegen është rikuperuar nga dëmtimi. Ai theksoi se, për shkak të rregullave të UEFA-s, rikthimi i Ter Stegen në Champions do të përjashtonte Szczęsny nga pjesëmarrja e mëtejshme. Megjithatë, gjermani shtoi se Ter Stegen mund të rikthehet në ndeshjet e La Liga-s.
Flick shprehu besimin se fitorja e fundit në Kupën e Mbretit ndaj Real Madridit do të shërbejë si motivim shtesë për skuadrën e tij në përballjen me Interin. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së fokusit, ndërsa Barcelona synon të arrijë tripletën këtë sezon.
Duke folur për përgatitjet taktike, Flick pranoi nevojën për përshtatje për t’u përballuar me formacionin 3-5-2 të Interit dhe kundërsulmet e fuqishme zikaltër. Ai theksoi rëndësinë e kontrollit të topit, minimizimit të gabimeve dhe fokusit të fortë në mbrojtje. Flick gjithashtu shprehu besimin në gatishmërinë e lojtarëve të tij për të luftuar për një vend në finale.
Interi ka pësuar shumë pak gola, ndërsa ju më shumë se të gjithë në Champions. A do të jetë kjo, pikë kyçe e ndeshjes?
Ne mendojmë vetëm për ndeshjen e parë, është hapi i parë. Interi është një skuadër e fortë, mendoj se ka mbrojtjen më të mirë në Europë, por besoj se ka gjithashtu një nga mesfushat më të mira. Do të jetë një ndeshje e vështirë, duhet të jemi të gatshëm për gjithçka.
Si i keni parë lojtarët tuaj?
Janë mirë. Të fitosh një finale kundër Real Madridit është diçka shumë e veçantë dhe sigurisht prodhon emocione pozitive. Ne e dimë që kemi mundësinë të arrijmë në finalen e Ligës së Kampionëve, garës më të rëndësishme nga të gjitha. Për të gjithë është një ëndërr të qenurit këtu, duhet të qëndrojmë të përqendruar. Të martën u stërvitëm mirë, të gjithë janë të fokusuar te kundërshtari dhe çfarë duhet të bëjmë. Kuptohet, kemi bërë analizën përkatëse dhe specifikuar se çfarë duhet të mësojmë nga ndeshja e fundit. Duhet të tregojmë forcën tonë dhe si dimë të luajmë.
A do të keni ndryshime në formacion?
Do ta shohim para ndeshjes, nuk është momenti të flasim për këtë. Kemi një tjetër stërvitje ditën e ndeshjes, aty do të shohim si është skuadra. Interi ka luajtur të shtunën dhe ka pasur disa orë më pak pushim se ne, por është një gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve dhe të gjithë duan të japin 100%. Kemi shumë lojtarë që duan ta luajnë këtë ndeshje, qoftë edhe vetëm për 45 minuta, dhe kjo është një gjë e mirë.
A mendoni se duhet ta frenoni entuziazmin e lojtarëve tuaj?
Jo, ajo që shoh është se të gjithë janë të përqendruar në këtë ndeshje, të gjithë e dinë sa e rëndësishme është të arrish në finalen e Ligës së Kampionëve. Fitorja ndaj Real Madridit na jep motivim shtesë. E dimë që duhet të punojmë shumë për të shkuar në finale, edhe se Interi ka lojtarë me përvojë, disa prej të cilëve janë në ‘trenin’ e fundit për një finale Champions-i. Ata do të japin maksimumin, por edhe ne.
A do të luajë Szczesny sonte dhe në një finale të mundshme?
Po, ai do të luajë në Ligën e Kampionëve, kjo është e qartë. Do të mendojmë se çfarë do të bëjmë në kampionat, por kjo është një çështje tjetër.