Frika nga tërmetet në Santorini, largohet 2/3 e popullsisë

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Dy të tretat e 16,000 banorëve të Santorinit janë larguar pas lëkundjeve sizmike të vazhdueshme që kanë tronditur ishullin për 13 ditë, duke vazhduar edhe sot.

Policia ka intensifikuar patrullimet në rrugët bosh të ishullit për të parandaluar grabitjet, ndërsa Ministria e Mbrojtjes së Qytetarëve ka dërguar shërbime urgjence në ishujt e prekur, përfshirë Santorin, Ios, Amorgos dhe Anafi.

Rreth 6,000 njerëz janë larguar ditët e fundit me tragete dhe aeroplanë, pas lëkundjeve sizmike të vazhdueshme që kanë tronditur detin dhe kanë ngritur pluhur në shkëmbinjtë e ishullit, duke rritur frikën për një tërmet më të madh. Lëkundjet kanë vazhduar çdo disa minuta, madje edhe gjatë natës, duke shtuar shqetësimin për një aktivitet sizmik më të fuqishëm.

Për të menaxhuar situatën, autoritetet kanë forcua planet emergjente. Një anije e rojes bregdetare dhe një mjet ushtarak janë në gatishmëri për evakuim, nëse është e nevojshme.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis kërkoi që banorët të mbeten të qetë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve, ndërsa Ministri i Mbrojtjes Civile, Vassilis Kikilias, theksoi se janë hartuar skenarë për të përballuar situata të ndryshme sizmike.

Ekipet e shpëtimit, përfshirë qen kërkimi dhe dronë, janë vendosur që nga e diela, ndërsa janë mbyllur disa zona bregdetare dhe shkollat janë urdhëruar të mbyllen në disa ishuj.

Ngjarjet publike janë ndaluar dhe autoritetet kanë kufizuar aksesin në zonat më të frekuentuara turistike të ishullit, si majat e shkëmbinjve.

Përballë fluksit të pasagjerëve që po largohen, shërbimet e trageteve dhe fluturimet janë shtuar, megjithatë, shërbimet e trageteve u ndërprenë të mërkurën për shkak të motit të keq.

Sizmologët dhe gjeologët po monitorojnë situatën dhe analizojnë mundësinë e zhvillimit të mëtejshëm të lëkundjeve.

Scroll to Top