
Qershitë nuk janë vetëm një kënaqësi sezonale – ky frut i kuq, i freskët dhe krokant, është një superushqim me vlera të jashtëzakonshme për shëndetin. Studiuesit kanë konfirmuar se përveçse janë të pasura me vitamina, minerale dhe fibra, qershitë ndihmojnë në përmirësimin e gjumit, ulin inflamacionin dhe forcojnë zemrën.
Forcojnë sistemin imunitar dhe tretjen
Të mbushura me vitaminë C dhe kalium, qershitë luajnë rol kyç në rregullimin e presionit të gjakut, funksionimin e muskujve dhe nervave, ndërsa fibrat që përmbajnë ndihmojnë tretjen dhe shëndetin e zorrëve.
Antioksidantë që luftojnë plakjen dhe sëmundjet
Antioksidantët e fuqishëm dhe përbërësit bimorë që ndodhen në qershi luftojnë stresin oksidativ, duke reduktuar rrezikun për sëmundje kronike dhe plakje të parakohshme. Studimet kanë treguar ulje të ndjeshme të inflamacionit dhe stresit oksidativ tek konsumuesit e rregullt të qershive.
Rikuperim më i shpejtë pas aktivitetit fizik
Qershitë ndihmojnë në reduktimin e dhimbjes muskulore dhe përshpejtojnë rikuperimin pas stërvitjes. Sportistët që konsumuan qershi para dhe pas garave përjetuan më pak dhimbje dhe performancë më të mirë. Edhe individët e zakonshëm kanë përfituar nga efektet lehtësuese në muskuj pas ushtrimeve.
Zemër më e fortë dhe tension më i ulët
Qershitë përmbajnë kalium, polifenole dhe flavonoide që ruajnë shëndetin kardiovaskular. Vetëm një grusht qershi (rreth 150 gr) mbulon 10% të nevojës ditore për kalium dhe ndihmon në eliminimin e natriumit të tepërt, duke ulur tensionin e gjakut dhe duke reduktuar rrezikun për goditje apo sëmundje zemre.
Gjumi i qetë fillon nga fruti
Përmbajtja e melatoninës në qershi ndihmon në rregullimin e ciklit të gjumit. Studimet kanë treguar se konsumimi i lëngut të qershive të tharta rrit ndjeshëm kohëzgjatjen dhe cilësinë e gjumit, veçanërisht tek të moshuarit me probleme pagjumësie.