Gjykata Kushtetuese, ‘mollë sherri’ në Parlamentin e Malit të Zi

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Partitë opozitare në Mal të Zi penguan mbajtjen e seancës së parlamentit të premten, duke bllokuar interpelancën e Kryeministrit Milojko Spajiç.

Opozita kërkon anulimin e vendimit për nxjerrjen në pension të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, një vendim që e cilëson si “puç kushtetues”. Ky vendim ka shkaktuar shqetësim edhe në Bashkimin Evropian, i cili ka bërë thirrje për respektimin e sundimit të ligjit dhe Kushtetutës, duke theksuar rëndësinë e kësaj për rrugën e Malit të Zi drejt BE-së.

Deputetët e opozitës e akuzojnë Komisionin Kushtetues dhe shumicën parlamentare për krijimin e një “krize të thellë institucionale dhe kushtetuese”, për shkak të vendimit që preku mandatet e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese. Pas përplasjes në parlament, deputetët opozitarë rrethuan Kryeministrin Spajiç, duke e penguar të fliste me gazetarët.

Në një takim me Presidentin Jakov Milatoviç, opozita mori mbështetje në lidhje me deklaratat e saj, duke e akuzuar Komisionin Kushtetues për krijimin e krizës kushtetuese. Milatoviç theksoi se veprimet e këtij Komisioni kishin kaluar kufirin e ligjit dhe Kushtetutës.

Përplasjet politike në Mal të Zi vijnë pas Konferencës Ndërqeveritare në Bruksel, ku Mali i Zi mbylli tre kapituj në negociatat për anëtarësim në BE. Megjithatë, një pengesë ka ardhur nga Kroacia, e cila nuk ka miratuar mbylljen e kapitullit “Politika e Jashtme, Siguria dhe Mbrojtja”, për shkak të çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës së fundit.

Scroll to Top