Drejtësia në Maltë ka shpallur të pavlefshëm arrestimin nga Policia të shqiptarit Begtash Muka i cili akuzohej për plagosjen e një personi në Buġibba. 33-vjeçari Muka, i cili jeton në Sliema, u akuzua ndër të tjera për bashkëpunim në plagosjen e një siriani. Shqiptari është i njohur për policinë, pasi akuzohet edhe për grabitjen e një argjendarie në Tigne në vitin 2017, ku mbetën të plagosur dy punëtorë. Muka u arrestua në vitin 2018, pas më shumë se një viti në arrati.
Sipas policisë, siriani raportoi se të premten pasdite ishte duke pirë një kafe dhe u sulmua nga tre burra që dolën nga një automjet i bardhë. Policia tha se ka pamje nga kamerat e sigurisë që tregojnë se çfarë ka ndodhur, si dhe të cilat identifikojnë edhe targën e makinës së përfsh irë në incident. Ata shtuan se mbrëmjen e së shtunës një rreshter ka pikasur këtë makinë që drejtohej nga njëri prej personave që shihen në video, i cili u ndalua dhe u arrestua. Ai tha se ka rezultuar se ky është Begtash Muka, i cili është vënë në arrest.
Në Gjykatë, avokati mbrojtës kontestoi vlefshmërinë e arrestit në një sërë pikash, duke përfshirë se Policia kishte një urdhër për arrestimin e personit në të cilin ishte regjistruar automjeti dhe i cili nuk është shqiptari Begtash Muka. Ai po ashtu argumentoi se fakti që arrestimi është bërë më shumë se 24 orë pasi ka ndodhur rasti, nuk plotëson një nen të ligjit që flet për arrestimin në kushtet e flagrancës.
Prokuroria tha se i akuzuari nuk ka shkelur kushtet e lirimit me kusht për një çështje tjetër. Gjykata e shpalli të pavlefshëm arrestimin e Mukës. Shqiptari u deklarua i pafajshëm për akuzat. Gjykata pranoi kërkesën për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për sirianin dhe detyroi Begtash Mukën që të mos i afrohej apo kontaktonte në asnjë mënyrë me të.